
TIRANË- Partia Demokratike do të depozitojë në Gjykatën Kushtetuese kërkesën që të gjithë qytetarët shqiptarë me dokumente të skaduara biometrike të marrin pjesë në zgjedhjet parlamentare të 11 majit. Opozita do të kundërshtojë aktin normativ të qeverisë që lejoi vetëm emigrantët me dokumente të skaduara të marrin pjesë në zgjedhje. Sipas Sekretarit për Çështjet Zgjedhore në PD, Ivi Kaso, kjo përbën një shkelje të barazisë së shtetasve para ligjit.
“Kjo është një tejkalim i qartë i Kushtetutës, është një shkelje e barazisë së shtetasve përpara ligjit; dy parime thelbësore që janë cenuar dhe ne besojmë që është në juridiksionin e plotë të Gjykatës Kushtetuese, por edhe në interesin e shqiptarëve në radhë të parë dhe të legjitimitetit të procesit në radhë të dytë që Gjykata Kushtetuese ta zhbëjë këtë vendim të turpshëm”, tha sekretari për çështjet zgjedhore në PD, Ivi Kaso.
Sipas Kasos, PD do t’i kërkojë GJK ta shqyrtojë këtë çështje me procedurë të përshpejtuar, pasi shumë shqiptarë rrezikojnë të mos votojnë.
“Besojmë duke u nisur nga sensitiviteti i çështjes dhe nga numri i madh i shqiptarëve që rrezikojnë të mos votojnë për shkak të vullnetit të mazhorancës socialiste Gjykata Kushtetuese i ka të gjitha mundësitë të ndërhyjë shpejt dhe në kohë dhe këtë çështje që është kaq e qartë përsa i përket shkeljes së parimeve dhe të drejtave kushtetuese nga ana e mazhorancës ti japë drejtim në një kohë të nevojshme përpara zgjedhjeve”, tha Kaso.
Partia demokratike prej muajsh ka kërkuar që të lejohen të gjithë shqiptarët të votojnë me dokumentet biometrike të skaduara. Por, në seancën plenare të 27 shkurtit, Kuvendi miratoi vetëm kërkesën për emigrantët shqiptarë./ZËRI