
TIRANË- Partia Demokratike ka nisur aksionin opozitar si kundërpërgjigje ndaj burgosjes së deputetit Ervin Salianji, i cili aktualisht po vuan dënimin me 1 vit heqje lirie në burgun e Fierit. Në lidhje me aksionin e opozitës, e cila paralajmëroi se nuk do të ketë më marrëdhënie normale institucionale me maxhorancën, ka dhënë më shumë detaje kreu i grupit parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi. Mbrëmë, Bardhi i ka dërguar mbrëmë një mesazh deputetëve të grupit duke i lajmëruar se në Komisionin e Integrimit do të shkojnë vetëm Jorida Tabaku dhe Edi Paloka. Ndërsa të tjerë komisionet e tjera do të bojkotohen, kjo shpjegon edhe mungesën e Albana Vokshit në Komisionin Hetimor për Shëndetësinë, edhe pse demokratja është drejtuesja e këtij Komisioni. Ndërsa lidhur me mënyrën sesi do të sillen në seancë, do të vendoset në mbledhjen e grupit, e cila do të mbahet në orën 15.00, 2 orë para nisjes së seancës plenare.
Mesazhi i Gazment Bardhit
"Të nderuar kolegë, Nesër nuk marrim pjesë në mbledhjet e komisioneve parlamentar, me përjashtim të Palokës dhe Joridës që me porosi të Kryetarit të Partisë që do të jenë tek integrimi për të shprehur qëndrimin e PD për hapjen e negociatave me BE. Ndërkohë rikujtesë për mbledhjen e Grupit Parlamentar nesër në seli në orën 15:00."
Por jo vetëm kaq! Bardhi pretendon se është shantazhuar me një mesazh në celularin e tij. Sipas shkresës që kreu i grupit parlamentar i ka dërguar SPAK, zbulohet se Bardhit i ka shkuar një mesazh në aplikacionin "Signal". Bardhi pretendon se bëhet fjalë për disa dokumenta që janë të falsifikuara dhe kanë për qëllim që ta intimodojnë, ndaj edhe kërkon që SPAK të hetojë çështjen dhe të dalë me një vendim.
"Gazment Bardhi i kërkon SPAK që të hetojë dhe verifikojë në një kohë të shpejtë mesazhet me natyrë intimiduese ndaj një deputeti të Kuvendit të Shqipërisë, me qëllim identifikimin e autorit/ëve të këtyre mesazheve, motiveve të dërgimit të tyre, dhe arsyet e prodhimit të një dokumenti të falsifikuar. Gjithashtu, për qëllime publike ju nxis të verifikoni edhe përmbajtjen e rrethaneve konkrete të tyre,"-shkruhet në dokument ndër të tjera.
NJOFTIM PËR SHTYP I GRUPIT PARLAMENTAR TË PARTISË DEMOKRATIKE
Kryetari i grupit parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi ka informuar Prokurorinë e Posaçme Antikorrupsion për një përpjekje kriminale për ta intimiduar atë përmes dokumentave të fallsifikuar. Ai i kërkon SPAK-ut të hetojë për disa mesazhe që i kanë mbërritur më datë 28 Shtator në aplikacionin Signal, ku sajohen ngjarje dhe përmenden personazhe të krimit të organizuar. Bardhi beson se të interesuar për të fabrikuar, sajuar, shpikur dhe shpërndarë të tillë mesazhe, qendrojnë persona publikë dhe figura të krimit të organizuar të denoncuar prej tij publikisht dhe në SPAK. Këto mesazhe intimiduese dhe me përmbajtje tërësisht të rreme vijnë pas seancës plenare të datës 12 Shtator 2024, ku gjatë një interpelance me Kryeministrin e Shqipërisë Edi Rama, unë në cilësinë e deputetit të Kuvendit të Shqipërisë e përballa atë me disa të dhëna të platformës SKY/ECC që janë bërë publike, si dhe e paralajmërova se shumë shpejt do ta përballë me të dhëna të tjera të të njëjtës natyrë që provojnë lidhjet mes funksionarëve të lartë publik dhe krimit të organizuar, gjithmonë pa cenuar dhe duke respektuar rregullat për ruajtjen e sekretit hetimor. Gazment Bardhi i kërkon SPAK që të hetojë dhe verifikojë në një kohë të shpejtë mesazhet me natyrë intimiduese ndaj një deputeti të Kuvendit të Shqipërisë, me qëllim identifikimin e autorit/ëve të këtyre mesazheve, motiveve të dërgimit të tyre, dhe arsyet e prodhimit të një dokumenti të falsifikuar. Gjithashtu, për qëllime publike ju nxis të verifikoni edhe përmbajtjen e rrethaneve konkrete të tyre.
Ndërkohë opozita, përveç aksionit në Kuvend, më 7 tetor ka paralajmëruar mbajtjen e një proteste kombëtare. Përpos protestës pritet të diskutohet edhe qëndrimi i opozitës në Kuvend.Opozita e ka cilësuar vendim politik dënimin ndaj Salianjit, i cili tashmë ndodhet në burgun e Fierit, ku pritet të vuajë dënimin e caktuar nga Gjykata e Apelit. Deputeti i Partisë Demokratike Ervin Salianji mbërriti në burgun e Fierit mbrëmjen e 27 shtatorit, aty ku do të kryejë dënimin e konfirmuar nga Apeli me 1 vit heqje lirie për akuzën e kallëzimit të rremë për dosjen ‘Babalja’. Gjykata e Apelit la më 26 shtator në fuqi vendimin e shkallës së parë të Gjykatës së Tiranës, që e dënoi deputetin e Partisë Demokratike me 1 vit burg, për akuzën e kallëzimit të rremë për dosjen ‘Babalja’. Vendimi i Gjykatës së Apelit i hap rrugë arrestimit të Salianjit, i cili pritet të vuajë dënimin në një burg të sigurisë së zakonshme. Salianji humb në mënyrë të menjëhershme mandatin e deputetit, për shkak se vendimi i Apelit ekzekutohet pa vonesa, edhe pse politikani demokrat, mund ta apelojë çështjen në Gjykatën e Lartë. Neni 71, pika 2, shkronja dh, e Kushtetutës, thotë se mandati i deputetit mbaron ose është i pavlefshëm kur dënohet me vendim gjyqësor të formës së prerë për kryerjen e një krimi.
Gjykata e Shkallës së Parë vendosi se audio-përgjimi ishte inskenim dhe i shpalli fajtorë të 4 të pandehurit Fredi Alizoti, Albert Veliun, Jetmir Olldashin si dhe Ervin Salianjin. Në këtë mënyrë merr fund dhe karriera në ngjitje e Salianjit, i cili së fundi ishte caktuar drejtues politik i PD-së për qarkun e Elbasanit. Dënimi e pengon Salianjin që për 5 vitet e ardhshme të ushtrojë detyra publike./ZËRI