
TIRANË- Shtyhet për në orën 12.00, Komisioni Hetimor për koncensionet e Sterilizimit dhe Check-up. Shkak është bërë mungesa e një prej dëshmitarëve, të cilit nuk i ishte gjetur adresa, prof. dr. Mihal Tases. Në mbledhje si pjesë e aksionit të bojkotit nga opozita mungoi edhe kryetarja e këtij Komisionit, Albana Vokshi, ndërsa takimi i sotëm u drejtua nga zv.kryetari i këtij Komisioni, Plarent Ndreca.
BISEDA NË SALLË:
Plarent Ndreca: Në orën 11.00 ishte thirrur zoti Mihal Tase por thirrja me shkresë është kthyer pas nga posta pasi adresa ishte e pasaktë. Jemi në kushte që ta shtyjmë mbledhjen. Jemi dakord ta ndërpresim?
Petro Koçi: Nuk kemi zgjidhje tjetër.
Plarent Ndreca: E ndërpresim atëherë dhe vijojmë në 12.00 me dëshmitarin e radhës.
Në mbledhjen e sotme, e cila do të rinisë më vonë, do të dëshmojnë: Myfrat Barbullushi; Mentor Petrela; Nikollaq Kacani; Mustafa Xhani dhe Arben Beqiri.
Ngritja e Komisionit Hetimor të Kuvendit për Sterilizimin dhe Check-Up në shëndetësi u arrit pas një marrëveshjeje të arritur nga Partia Socialiste me atë demokratike. Por të dyja këto koncensione janë nën hetim nga SPAK. I pari, ai i Sterilizimit, ka sjellë deri më tani arrestimin dhe ngritjen e akuzave ndaj ish-zëvendësministrit të Shëndetësisë, Klodian Rrjepaj dhe biznesmenit Ilir Rrapaj dhe ish-ministrit të Shëndetësisë, Ilir Beqja. Nën hetim është dhe ish-ministri i Financave, Shkëlqim Cani./ZËRI