Politikë

Emri i kryepolicit të ri/ Ministri Hoxha ruan "sekretin": Sot do i dërgoj emrin kryeministrit, ishte garë e fortë

Ervin Hoxha u shpreh se kandidatët tashmë janë pikëzuar dhe se renditja e tyre do të publikohet fillimisht në faqen zyrtare të Ministrisë së Brendshme.

k.m.
Emri i kryepolicit të ri/ Ministri Hoxha ruan "sekretin": Sot do
Ervin Hoxha

TIRANË- Ministri i Brendshëm, Ervin Hoxha ka deklaruar se do i përcjellë sot kryeministrit Edi Rama kandidaturën për Drejtor të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit. Në një deklaratë për mediat, ministri Hoxha u shpreh se kandidatët tashmë janë pikëzuar dhe se renditja e tyre do të publikohet fillimisht në faqen zyrtare të Ministrisë së Brendshme. 

"Hapi garën për përcaktimin dhe përzgjedhjen e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit. Ky proces ishte shumë konkurrues në bazë të meritave dhe të integritetit, i monitoruar nga 2 misionet që asistojnë Policinë e Shtetit. Sot, Ministria e Brendshme do të publikojë renditjen në faqen e saj zyrtare dhe unë do i përcjell Kryeministrit, Këshillit të Ministrave kandidaturën për Drejtor të Përgjithshëm,"-tha në fjalën e tij, Ervin Hoxha.

Kush janë kandidatët në garë?

Altin Mena, aktualisht mban postin e nëndrejtorit të policisë së Lezhës, dhe nuk ka pasur më herët ndonjë detyrë në krye të komisariateve në vend. Megjithatë ditëve të fundit, emri i tij ka qenë mjaft i lakuar si kandidat potencial.

Neriton Nallbati ndërkohë mban postin e drejtorit të Policisë kriminale, dhe ka një karrierë më të gjatë në radhët e policisë së shtetit. Po ashtu ai është një ndër kandidatët më të akuzuar nga opozita, për lidhje me bandat kriminale, në kohën kur ka qenë kreu i komisariatit të policisë së Elbasanit.

Nga ana tjetër, Skënder Hitaj mban postin e drejtorit të policisë së Durrësit. Komisioni i Posaçëm që intervistoi kandidatët përbëhej nga sekretarja e Ministrisë së Brendshme Suzana Hoxha, zëvendësministri Besfort Lamallari dhe drejtori i Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore, Florian Sulejmani.

Pas dorëheqjes së ish-Drejtorit të Përgjithshëm Muhamet Rrumbullaku, në datën 10 Shtator u hap gara nga ministri i Brendshëm, Ervin Hoxha, i cili publikoi një udhëzim, duke u dhënë mundësinë kandidatëve që të aplikonin. Përkohësisht Policia e Shtetit po drejtohet nga Sokol Bizhga./ZËRI

Poll

MOS HUMB