
TIRANË- Pavarësisht kontrolleve të Gardës, deputetët e opozitës ia kanë dalë sërish që të fusin dhe ndezin flakadanë në sallën e Kuvendit. Flamur Noka i ka nxjerrë ato nga çantat e kolegeve të tij gra, të cilat kanë kaluar pa kontroll të imtësishëm nga ana e Gardës.
Menjëherë pas ndezjes së flakadanëve, Lindita Nikolla i njoftoi Flamur Nokës përjashtimin nga seanca plenare, e megjithatë deputeti i PDsë qëndron aty dhe madje ndezi dhe një letër duke e djegur në sallë.
Garda kërkoi kontroll fizik të demokratëve, ndërsa deputetët nuk pranuan me argumentin se është në shkelje të rregullores së Kuvendit.
Ndërsa dhjetëra gardistë rrethuan sallën, deputetët e opozitës grumbulluan sërish karriget, duke kundërshtuar praninë e tyre.
Disa prej deputetëve të opozitës janë përplasur me gardistët, ndërsa Flamur Noka dhe kolegët e tij ndezën disa flakadanë në sallën e Kuvendit, e madje në dy raste tentuan dhe ndezjen e zjarrit.
/ZËRI