Politikë

Non-grata dhe përballë drejtësisë, Berisha: Unë jam bashkë me PD, e luftoj me gjithçka

Ai tha se gjendet përballë një diktature dhe se do luftojë me gjithçka. 

F.m
Non-grata dhe përballë drejtësisë, Berisha: Unë jam
Sali Berisha

TIRANË- Kryedemokrati Sali Berisha ka deklaruar se për betejën përballë drejtësisë, nisur nga arrestimi i dhëndrrit të tij, Jamarbër Malltezi, nuk do të ndahet nga Partia Demokratike, siç bëri me shpalljen non-grata. Në konferencë me gazetarët,aiu pyet nëse do ta ndjekë i vetëm këtë betejë njësoj si me Departamentin Amerikan të Shtetit, por e mohoi këtë gjë. Ai tha se gjendet përballë një diktature dhe se do luftojë me gjithçka. 

Pjesë nga biseda: 

Pyetje: Z. Berisha tani përveç se një betejë politike, keni një betejë edhe me drejtësinë. Këtë betejë me drejtësinë do ta vazhdoni vetëm apo me PD-në?

Sali Berisha: Kjo është një diktaturë. Diktatura luftohet nga të gjithë ata që nuk pranojnë diktaturën. Dhe në këtë rast, siç kam thënë, nëse ka një njeri në botë që mund të faktojë qoftë edhe një shkelje të vetme, çfarë thonë ata në akuzë, unë tërheq çdo gjë. Por në mënyrë absolute kurrë, një veprim të tillë politik, antidemokratik të Edi Ramës, unë nuk e pranoj. Unë i kam dhënë këto prova, nuk mundem unë. Jam ky, nuk bëhem ndryshe.

Jamarbër Malltezi u vu sot në pranga, ndërsa ndaj ish-kryeministrit Berisha është caktuar masa 'detyrim paraqitje' dhe ndalimi i daljes nga Shqipëria. Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar e hetoi Malltezin për pastrim parash, pas kallëzimit të bërë nga Taulant Balla, aktualisht ministri i Brendshëm. Balla, asokohe kreu i grupit parlamentar të PS, kallëzoi për shpërdorim detyre ish-kryeministrin Berisha, dhëndrin e tij Jamarbër Malltezi dhe ish-ministri Arben Imami. Ata akuzohen në lidhje me privatizimin e rreth 10.000 m2 të ish-kompleksit sportiv “Partizani”, në qendër të Tiranës, truall i cili para vitit 2008 ishte në pronësi të Ministrisë së Mbrojtjes. Mesa duket SPAK ka gjetur shkelje ligjore ndaj edhe ka "prerë" fletë-arrestin./Zëri.ai

Poll

MOS HUMB