Politikë

Një 17 Maj i dytë për super-komisionin e propozuar nga Rama? Basha: Barra e provës është e PS-së

Lulzim Basha: Barra e provës te Rama, t'i japë fund embargos ndaj nismave të PD

E.K
Një 17 Maj i dytë për super-komisionin e propozuar nga Rama?
Lulzim Basha

TIRANË- Kreu i Partisë Demokratike zyrtare Lulzim Basha, nuk e ka përjashtuar mundësinë e bashkëpunimit me Edi Ramën dhe socialistët, për Komisionin e Posaçëm kundër korrupsionit të propozuar nga shumica qeverisëse.

“Partia Socialistë të lërë mënjanë taktikat paraelektorale dhe të fokusohet tek veprat konkrete”, u shpreh Basha, duke mos dhënë një përgjigje të qartë për propozimin e socialistëve që deri tani ka marrë dhe mbështetjen e ndërkombëtarëve.

Basha theksoi se nëse nuk sillen në Parlament aktet e propozuar nga partia e tij, si vettingu i politikanëve dhe heqja e imunitetit të ligjvënësve, iniciativat e PS-së mbeten vetëm fjalë, duke nënkuptuar se ai nuk mund të bashkëpunojë me PS nëse nuk plotësohen kushtet e tij.

“Propozimi ynë për ligjin për vetingun e politikanëve, i ndan fjalët nga veprat. T’i japim pushtetet një ILDKPI-je të reformuar që të bëjë vit për vit të njëjtin proces që i kërkohen magjistratëve apo oficerëve të policisë që është kontrolli i pasurisë së tyre me parimin “ndiq paranë” dhe kontakteve të tyre të papërshtashme. Presim me shumë kërshëri si do të pozicionohen ata që gojën plot luftë kundër korrupsionit, por votat i japin për të liruar të korruptuarit.

Pjesë e procesit të luftës kundër korrupsionit është PD-ja. E vetmja parti që vepron me transparencë është PD-ja, e vetmja që ka mbajtur qëndime të qarta është PD-ja, siç është propozimi për amandamentet për të forcuar SPAK-un. Qëndrimet e faktorit ndërkombëtar i shoh si mbështetje të PD-së. PD është me propozimin për vetingun e poltikanëve që si duket pas 6 muajsh duan ta fusin në parlament. Nëse PS do të jetë e gatshme të votojë, ky bashkëpunim duhet të jetë transparent dhe PD e gatshme të punojë për interesin publik në mënyrë transparente.

Interesi publik është që politikanët t’i nënshtrohen kontrollit të thelluar të pasurisë vit për vit dhe të kontakteve të papërshtashme. Duhet të sillet dhe propozimi për heqjen e imunitetit të politikanëve. PD qëndron qartë, prerë dhe fortë në propozimet. Nëse Rama ka vullnet, atëherë barra e provës është tek ai për t’i dhënë fund bllokadës që i ka bërë akteve të PD-së për t’i votuar me konsensus të plotë”, u shpreh Basha.

Gjatë ditës së djeshme, edhe kreu i grupit parlamentar të PD-së Gazment Bardhi, la një përgjigje disi evazive sa i takon bashkëpunimit me socialistët në Komisionin e Posaçëm kundër korrupsionit dhe thellimin e reformave në vend, me qëllim përshpejtimin e procesit integrues. /ZËRI

Poll

MOS HUMB