
TIRANË- Në seancën e sotme që pritet të mbahet në Kuvend, pjesa kryesore e diskutimeve do të lidhet me interpelanën e ministrit të Drejtësisë Ulsi Manja, e kërkuar nga disa deputetë të opozitës që mbështesin Lulzim Bashën.
Interpelanca është kërkuar për amnistinë penale, nga e cila sipas opozitës përfituan edhe 100 të dënuar nga GJKKO. Akuzat janë bërë nga Lulzim Basha, dhe nga grupi parlamentar i Partisë Demokratike zyrtrare.
Më herët vetë Manja, por edhe grupimi i Rithemelimit, kanë deklaruar në Kuvend se nga projektligji që u miratua me shumicë votash nuk përfituan subjektet e Gjykatës së Posaçme.
Sipas një reagimi më herët të SPAK, 100 persona të dënuar nga GJKKO përfituan nga aministia penale, një pjesë e të cilëve përfituan falje dënimi kurse pjesa tjetër ulje.
Nga ana tjetër për të disatën javë me radhë, në seancën e sotme nuk do të jetë i pranishëm kryeministri Edi Rama, i cili ndodhet në një vizitë në Gjermani. Gjatë ditës së sotme, Rama së bashku me zëvendëskancelarin gjerman, Robert Habeck, do të jenë oratorët kryesorë në ceremoninë e ndarjes së Çmimit të Karlit të Madh për vitin 2024. Ky event prestigjioz do të mbahet më 9 Maj në Sallën e Kurorëzimit të Ndërtesës së Bashkisë së Aachenit.
Që nga viti 1950, Çmimi i Karlit të Madh ka nderuar individë dhe institucione që kanë kontribuar në bashkimin dhe përparimin e Evropës. Ndër fituesit e mëparshëm janë figura të tilla si presidenti ukrainas, Volodimir Zelesnki, presidenti francez, Emmanuel Macron apo Papa Françesk. Këtë vit, çmimi i jepet kryerabinit Pinchas Goldschmidt, President i Konferencës së Rabinëve të Evropës, për rolin e tij të rëndësishëm në promovimin e dialogut dhe tolerancës ndërmjet komuniteteve të ndryshme fetare në Evropë.
Oliver Rolofs, zëdhënës i eventit, i tha DË-së se “Pjesëmarrja e Kryeministrit Rama thekson përpjekjet e vazhdueshme të Shqipërisë për integrimin evropian."
Opozita prej kohësh ka kërkuar një përballje në Kuvend me kryeministrin Edi Rama, për disa çështje të nxehta, si dosja Xirabak, apo reportazhi në RAI 3, por kreu i qeverisë i ka refuzuar të gjitha interpelancat e kërkuara nga deputetët demokratë. /ZËRI