
TIRANË- Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike ka nisur të vërë në zbatim porositë e lëna në mbledhjen e djeshme mes Bardhit dhe Berishës, për të mos lejuar funksionimin normal të Kuvendit derisa mazhoranca sipas tyre të mundësojë rikthimin e normalitetit parlamentar.
Përjashtrimi i deputetëve të opozitës, rrëzimi i Komisioneve Hetimore dhe bllokimi i Reformës Zgjedhore dhe moskonsiderimi i asnjë nisme ligjore ka bërë që deputetët e Partisë Demokratike të debatojnë ashpër në Komisionet Parlamentare dhe të braktisin mbledhjen.
Komsioni i Veprimtarisë Prodhuese shtyu mbledhjen për më shumë se një orë për shkak të mungesës së deputetëve opozitarë, pa arritur që të krijojnë kuorumin.
Rrëzimin e propozimimeve dhe moskonsiderimin e asnjë nisme, deputetët demokratë e kanë konsideruar si mbyllje të rrugës institucionale për opozitën në Kuvend.
E njëjta situatë është në Komisionin e Ligjeve. Deputetët e opozitës, pasi kanë dëgjuar propozimin e koleges së tyre, Jorida Tabaku, për ligjin e prokurimeve, nismë që është rrëzuar nga mazhoranca, debatuan ashpër me kolegët socialistë, e më pas braktisën mbledhjen.
Debatet:
Klotilda Bushka: Këtej kërkoni të zbatohen rregullat
Jorida Tabaku: Me shumë seriozitet, unë dhe disa kolegë të grupit kemi përgatitu një nismë ligjore, qëndrimi im ka qenë i qartë, nuk jemi këshilltarë të qeverisë, ne kemi bërë një propozim me shumë seriozitet që kemi që në 8 dhjetor që e kemi prezantuar, nëse ju na këshilloni t’ia çojmë sugjerimet qeverisë, dhe pastaj i merr apo jo nuk ka rëndësi, mua më duket e palogjikshme kjo më mënyrë dhe kjo është mospërfillja ndaj opozitës. Kjo është serioze nuk ka gjë për të qeshur, se kuptoj zonja Felaj…
Ermonela Felaj: Vazhdo
Gjatë ditës së djeshme në mbledhjen e përbashkët të deputetëve të PD-së u shtrua propozimi i ashpërsimit të qëndrimit të tyre. I pranishëm ishte edhe vetë Berisha, i cili përjashtoi si opsion bojkotin, që sipas tij i jepte më shumë fuqi Edi Ramës, ndërkohë që sot ka nisur paralizimi i punës në Komisionet Parlamentare. /Zëri.ai