
TIRANË- Komisioni Hetimor për rrjedhjen e të dhënave për sistemin TIMS, ka miratuar sot kërkesat e informacionit për institucionet e shtetit. Në mbledhjen e kaluar, anëtarët e mazhorancës bojkotuan takimin, por këtë mbledhje, shumica vendosi që të ndiqte punimet e Komisionit. Në takimin e sotëm, deputeti dhe nënkryetari i Komisionit, Toni Gogu deklaroi se bojkoti i mazhorancës u bë me qëllimin për të mos shkelur ligjin. Po ashtu, shtoi se PS kërkon të korrektohen kërkesat e depozituara nga ekspertët.
Kështu sot, anëtarët e komisionit ranë dakord të miratojnë kërkesat e ekspertëve për të mbledhur informacion në mënyrë që më pas të vijohet me planin hetimor. Në propozimim e hedhur për votim, vetëm një ishte kundër, Nasip Naço. Ai ka kundërshtuar një pikë nga kërkesa drejtuar Altin Dumanit, duke thënë se po i bëhet presion Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.
“Në lidhje me kërkesën drejtuar Altin Dumanit, votova kundër dhe nuk isha dakord me pikën dy të kësaj kërkese sepse Prokuroria nuk do të na japë asnjë emër për gjërat që ju kërkoni. Ka të bëjë me sekretin hetimor, dhe kërkoj që të mos vihet, ose të ishte më e moderuar, sepse e vini nën presion SPAK për të dhënë informacionet e hetimit,”- tha Naço.
Përveç SPAK, kërkesat për informacion u janë dërguar edhe esnik Dervishit, komisionerit për të drejtën e informimit dhe mbrojtjen e të dhënave personale; Taulant Ballës, ministër i Brendshëm; Muhamet Rrumbullakut, drejtor i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit dhe institucioneve të tjera informacionet nga të cilët i shërbejnë hetimit parlamentar. Po ashtu, në takimin e sotëm, Ervin Salianji u rikujtoi kolegëve që të rinovojnë certifikatën e tyre të sigurisë, në mënyrë që të marrin pjesë në mbledhjet ku do të mësojnë informacione të klasifikuara.
PAMJE NGA MBLEDHJA E KOMISIONIT:
Ç'ka ndodhur me sistemin TIMS?
Sulmi i ndodhur në 2022 ndaj sistemit TIMS është marrë përsipër nga një grup i identifikuar si Homeland Justice, i cili, sipas qeverisë shqiptare është i financuar nga Irani. Pikërisht për këto sulme, jo vetëm ndaj TIMS por edhe institucioneve të tjera, kryeministri Edi Rama deklaroi ndërprerjen e marrëdhëneve me Republikën Islamike të Iranit. Pas sulmeve kompania Microsoft që mori pjesë në hetimin e ngjarjes tha se të gjitha zbulimet e saj ishin të lidhura me Iranin./ZËRI