
TIRANË- “Më keni kërkuar gjatë, shumë gjatë, dhe i keni rënë shumë gjatë këtyre daulleve, se të paktën mos më kërkoni, se sa herë që më kërkoni gaboni. Po më mori malli vij vetë, se e vetmja mënyrë që ju të hypni në qeveri është të kapni karriget kur jemi pushim”, ishin këto fjalët me të cilat kryeministri Edi Rama përmbylli fjalimin prej 90 minutash në Kuvend, ku opozita i kishte kërkuar llogari për qëndrimin e qeverisë shqiptare mbi situatën në Kosovë.
Fillimisht Rama iu përgjigj interpelancës së kërkuar nga deputeti i Partisë Demokratike Kreshnik Çollaku, dhe mëpastaj tregoi forcën e kartonit kur tha se rezoluta që do të miratohet në Kuvend është ajo e propozuar nga socialistët, dhe opozita ka të drejtë vetëm të ngrejë ose jo kartonin. Megjithëse një pjesë e rekomandimeve të tyre nuk u pranua deputetët e opozitës që përfaqësohen nga grupimi Bardhi-Berisha do të votojnë pro rezolutës për Kosovën, ndërkohë që grupi Bashës, me liderin që vetë nuk u pa në seancë do të mbajë qëndrim kundër.
Për t’u kthyer në fjalimin e kryeministrit Edi Rama, ai ishte i mbushur plot me akuza në drejtim të politikës së Tiranës dhe të Prishtinës, që sipas tij shfrytëzuan për qëllime politike dhe elektorale vrasjen e efektiviti të policisë Afrim Bunjaku. Rama mbështeti qëndrimet e tij të mëparshme për Kosovën, ku tha se është e domosdoshme që Veriu të merret në kontroll nga KFOR, pasi është kthyer në një pikë kalimi për trafikun e mallrave por edhe armëve.
Nga ana tjetër si zgjidhje përfundimtare që do të çonte në njohjen e Kosovës, Rama përmendi asosacionin e komunave me shumicë serbe, ndërsa riktheu dhe njëherë tjetër paralelizmin mes Palestinës dhe Kosovës. Duke cituar fjalët e ish-presidentit Clinton, Rama tha se pa një zgjidhje përfundimtare me Serbinë, Kosova do të jetë vazhdimisht vatër e konflikteve. Rama po ashtu tha se presidentin e Serbisë do ta takojë sa herë të jetë e nevojshme, pasi kështu sipas tij i shërben interesit të Shqipërisë dhe Kosovës.
DËNIMI I SULMIT NË VERI- “Sot jemi ftuar në një mocion me debat nisur nga një draft rezolutë e depozituar në Kuvend që doli nga i njëjti oxhak i tymit patriotik, kinse patriotik, fill pas rezolutës së Kosovës pas ngjarje strategjike ku u vra efektivi i policisë Afrim Bunjaku nga një grup kriminal serb që ushtroi terror në veri të Kosovës. Kuvendi i Kosovës është jo vetëm në të drejtën dhe detyrën e tij të miratojë rezoluta të kësaj natyre që u drejtohen për mbështetje politike fuqive aleate dhe organizmave ndërkombëtare ku Kosova nuk bën pjesë. Por Kuvendi i Shqipërisë pjesë e NATO, vend kandidat për BE, vend që ka ulësen, rrugët e komunikimit institucional me botën demokratike, ambasadorët në të gjithë organizmat, kujt ja drejton një rezolutë si ajo që na u propozua.
Cilat parlamente të vendeve anëtarë te NATO, kush miraton rezoluta të tilla drejtuar botës. Cili është qëllimi. Përtej propagandës kinse patriotike për audiencën e brendshme kombëtare. Rezoluta të tilla shfaqen me shpejtësi të rrufeshme si dru për oxhakun e programacionit kundër qeverisë, herë si zgjatim i thonjve të krizës në veri, herë si politikë ditore, herë me thirrjen në skenë të viktimave të Enverit për të luftuar me qeverinë në parlamentin e shekullit 21”.
PËRGËZIMI I POLICISË SË KOSOVËS- “Megjithatë unë do them të vërtetat e mia. Ai agresion i nxori sërish thonjtë e krizës në Veri të Kosovës dhe ja nguli mu në fund, dialogut dhe njohjes së Kosovës. Shfaqja e shëmtuar me armatime të trafikuara për sulm dhe thasët e financimeve kriminale në veri të Kosovës ishte si kronika e zezë i një kronike të paralajmëruar. Lajmi i vrasjes së policit ishte si një bombë që dha sinjalin e përshkallëzimin në atë skenë. Kthen mbrapsht procesin e dialogut dhe ndez llambën e vjetër të krizës mes dy vendeve në Ballkan.
Ngujimi i kriminalëve serbë në Manastir, ishte si një ftesë për provokim për të nxjerrë sulmin e Kosovës. Fundi ishte triumfator, sepse nuk ranë pre në kurth dhe neutralizuan duke iu përgjigjur në mënyrën më të drejtë të mundshme provokimit djallëzor të provokimit serb. Ndërsa shpallja e zisë kombëtare në Beograd, ishte shëmbëlltyra e hijes e së shkuarës, e cila ndjek Kosovën kudo sa herë del drita”.
KRAHASIMI ME PALESTINËN, POROSIA E LËNË NGA KLINTON- "Kur Clinton erdhi në Tiranë më tha, thuaju miqve të mi në Prishtinë të mos e humbasin shansin mbi planin franko-gjerman, tregoju si e humbi Arafat mundësinë e paqes kur e kishte mbi tavolinë. Izraelitët thanë po edhe Arafat tha po do e firmosin, nisa përgatitjet, të nesërmen Arafat mori në telefon dhe më tha nuk e firmos, i thash, tha Clinton, (citon Rama) e kupton se cfarë po bën dhe shansi që të vijë sërish është thuajse zero. Përgjigjja e tij: E di po nuk e firmos dot.
Kosova shtoi Clinton jo vetëm nuk duhet t’i zhgënjejë miqtë e ditëve më të vështira, por duhet të punojë njësh me ta që te finalizojë paqen. Punët e Palestinës shkuan keq e më keq për të finalizuar paqen, ndërsa konflikti sot po trondit botën prej disa ditësh. Ajo që po ndodh këto ditë është përshkallëzimi më i tmerrshëm i një tragjedie njerëzore i prodhuar nga frika e lidershipit politik për të prodhuar paqen me armikun historik. Ky është thelbi”.
MOSDAKORDIMI ME LINJËN E BE- “Ngjarja më e rëndë në marrëdhëniet Kosovë- Serbi qysh pas vitit 1999. Ende më keq, ngjarja kriminale ishte pasur nga një kat i papranueshëm zyrtar. Shpallje zie në Beograd. Prandaj ua bëmë të qartë miqve se për tu linjëzuar me atë deklaratë që ishte krejt normale nëse agresioni s’do kishte ndodhur, prisnim një deklaratë të dytë të BE, ku do dënoheshin qoftë organizatorët e agresionit kriminal, qoftë organizatorët e zisë kombëtare në Beograd dhe të kërkohej fillimi i menjëhershëm i një hetimi ndërkombëtar. Na shpjeguan që kohën dhe procedurat e BE nuk e mundësonin dot një deklaratë të dytë, sipas nesh e domosdoshme në të njëjtën kohë me të parën. Dua ta bëj të qartë se moslinjëzim ne politikën e jashtme të BE nuk është fjalë goje për një vend kandidat që synon anëtarësimin në BE dhe që përgatit të nisë me një prej pjesëve të negociatave që lidhet pikërisht me politiken e jashtme. Nuk është as një akt heroizmi, por mbetet një akt politike, kundërshtie në dokumentet tona me Brukselin”.
SHQIPËRIA NUK MUND TË LUAJË ME DY PORTA- “Në Tiranë dhe Prishtinë, ka disa që nuk duan ta kuptojnë se Shqipëria nuk është më ajo e djeshmja. Nëse sot respektohet si e barabartë, vlerësohemi për dinjitetin që tregojmë me fjalë dhe vepra. Pyetemi nga të gjithë faktorët ndërkombëtarë, çmohemi si vend serioz, që i besohen poste me rëndësi, siç ishte dhe zgjedhja në OKB, apo na kërkohen mikpritje samitesh në Shqipëri. Kjo nuk ndodh as se unë vesh atlete në samite apo se ata nuk dine se ku të mblidhen, por se e kemi çuar pozicionin tonë në rajon dhe botë në një kah të ri. Jemi faktor paqeje, si anëtar i denjë i komunitetit euroatlantik. Sa herë e kemi dëgjuar nga qeveritarë që thonë; Shqipëria është faktor paqeje, stabiliteti në rajon dhe botë. Deri dje Shqipëria është faktor pasiv, sot aktiv. Ka një fill të artë amaneti kombëtar që vazhdon. Kjo na kërkon që të bëhemi perëndimorët e Ballkanit dhe jo ballkanasit e radhës. S’kemi luksin që të luajmë me dy porta...”.
MARRËDHËNIA ME KURTIN- “Unë Albin Kurtin e kam mik, më shumë se Haradinaj me të cilin në një segment të caktuar të këtij rrugëtimi jam gjendur në një konflikt personal, kur ai ishte kryeministër. Ndërsa me Albinin nuk kam pasur kurrë asnjë problem personal, madje e kam kënaqësi të bisedoj me të, por me kryeministrin aktual kam divergjenca botëkuptimore, se si arrihet te qëllimi i përbashkët kombëtar. Gjithashtu, fakti se me Ramushin kemi pasur krisje, nuk ka si më pengon të shpreh neverinë time më të madhe për një video propagandistike të porositur dhe të shpërndarë përmes tastierave të luftës civile dixhitale, ku Ramushi shfaqej duke trokitur gotat në një koktej me përfaqësuesit e Listës serbe.
E dini si është puna, Ramush Haradinaj si çdo komandant tjetër që ka parë gjakun e vërtetë në fytyrën e shokëve të vrarë nga plumbat e Serbisë fashiste, dhe si çdo luftëtarë që ka fituar luftën me armë të vërteta, nuk ka si ta ketë problem të trokasë gotat me deputetë serbë të Kosovës në prani edhe të mediave, se mund të ishte në ambient privat dhe prapë të sulmohej me këto mjete mizerabël kineze duke u futur në rreth si tradhtar i kombit. Turpi i mbuloftë ata që sot e harrojnë se pa qindra mijëra Ramushët e UÇK s’do gëzonin lirinë e shprehjes deri në abuzim që kanë sot”.
MARRËDHËNIA ME VUÇIÇ- “Presidentin e Serbisë e kam takuar dhe do ta takoj sa herë e gjykoj të arsyeshme sepse kështu i shërbej më mirë interesit të Shqipërisë dhe të Kosovës”.
SHTIMI I KFOR NË VERI DHE ASOSACIONI I KOMUNAVE ME SHUMICË SERBE- "E kam thënë së samitin e NATO, mbi domosdoshmërinë marrjes së kontrollit të veriut të Kosovës nga KFOR. Është një nyje që nuk duhet mbajtur si lojtar në këmbë, që veç e pengon Kosovën, dhe veç e largon objektivin e Kosovës për të qenë pjesë OKB-së, BE dhe NATO-s. Ai asosacion duke mos u bërë është kthyer nënjë litar. Të mos e kuptosh këtë, do të thotë që mos të duash tia dish fare se cili do të jetë hapi tjetër. Po humbet dita ditës besimin dhe respektin e atyre që e njohën si shtet të pavarur, dhe janë angazhuar drejt njohjes ndërkombëtar nga të gjithë në organizatën e OKB-së. Ai asosacion që mistifikohet çdo ditë si kali i Trojës, që duan ta fusin ndërkombëtarët në Prishtinë, do të kthehet në litarin e Kosovës. Nëse asosacioni bëhet si duhet Serbia nuk do të mund të lëvizë aq lirshëm, saç ka lëvizur sot në Be dhe në SHBA. Nëse asosacioni do të bëhej, shteti i Kosovës nuk do të kishte asnjë rrezik për t’u destabilizuar, këtë e kupton dhe bufi”.
Sa i takon rezolutës që pritet të kalojë sot në Kuvend ajo është një vazhdimësi e linjës që ka mbajtur dhe Kuvendi në Kosovë dhe përbëhet nga tre pika kryesore. Pikë së pari, ajo mbështet plotësisht dhe njëzëri Rezolutën Nr. 08-R-009 të Kuvendit të Republikës së Kosovës, e cila u miratua në seancën plenare të datës 28 shtator.
Në radhë të dytë, rezoluta kërkon nga institucionet kushtetuese të Republikës së Shqipërisë, që në të gjitha instancat ndërkombëtare sikurse dhe në kontaktet bilaterale me partnerët tanë, të angazhohen fuqimisht dhe të ndërmarrin të gjitha veprimet e nevojshme për mundësimin e një hetimi ndërkombëtar lidhur me aktin terrorist në veri të Kosovës.
Së fundi, ajo inkurajon Qeverinë e Republikës së Kosovës që të punojë krah për krah dhe të bashkohet pa rezerva me aleatët e saj strategjikë, Bashkimin Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Kjo, në funksion të procesit për arritjen e një marrëveshje përfundimtare për normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë dhe njohjen përfundimtare të Kosovës prej saj./Zëri.ai