Politikë

Nesër ngrihet komisioni "anti-korrupsion", kryetar Xhafaj. Bardhi: Nuk ulemi me PS, s'dimë objektin

Në krye të këtij Komisioni nga mediat raportohet se do të jetë ish-ministri i Brendshëm, Fatmir Xhafaj, ndërsa emrat e tjerë nuk dihen. 

k.m.
Nesër ngrihet komisioni "anti-korrupsion", kryetar Xhafaj.
Foto ilustruese

TIRANË- Nesër, pritet ngritja e Komisionit të Posaçëm "anti-korrupsion", me 6 anëtarë të maxhorancës, e 5 nga opozita. Por Partia Socialiste mund të kërkojë shtyrjen për një tjetër seancë, pasi ende nuk ka asnjë sinjal bashkëpuniminga ana e opozitës. Kështu që nesër pritet që të votohet vetëm ngritja e Komisionit dhe jo përbërja e tij. Në krye të këtij Komisioni nga mediat raportohet se do të jetë ish-ministri i Brendshëm, Fatmir Xhafaj, ndërsa emrat e tjerë nuk dihen. 

Sa i përket opozitës, edhe pse nuk votuan fare në seancën plenare të të hënës, janë mbledhur sot për të diskutuar në selinë e Partisë Demokratike për të diskutuar dhe kanë dalë me një vendim; Partia Demokratike (Rithemelimi) nuk do të marrë pjesë në mbledhjen e nesërme. Kjo, sipas tyre, pasi nuk dinë ende objektin për të cilin do të mblidhet Komisionit. Para se të niste mbledhja, deputeti demokrat, Ervin Salianji shprehu hapur para mediave mendimin e tij se opozita nuk duhet të jetë pjesë e Komisionit dhe të përdoret nga kryeministri Edi Rama. Kundër ishte edhe Luan Baçi, ndërsa Dhurata Çupi u shpreh se asnjë vend që i përket opozitës nuk duhet lënë bosh. 

PRONONCIMET PËR MEDIAT: 

QËNDIMET E DEMOKRATËVE PARA MBLEDHJES:

Gazment Bardhi: Kjo nuk është proceduriale, është politikë. Pra nuk është inciativë serioze që kërkon ndërtimin e një platformë për luftë ndaj korrupsionit. Por është propagandë e ditës për fytyrën e Edi Ramën. Nuk mund të bëhemi pjesë e një inciative që nuk është e tillë. Nëse Edi Rama do luftë kundër korrupsionit, ne nuk jemi kundër. Ai që i cënuar të tre këto komponentë ka qenë Edi Rama dhe qeverisja e tij, më jeni një rast ku Rama i ka drejtuar gishtin një të korruptuari dhe i ka thënë do ta largoj nga puna se është i korruptuar, ndërkohë që çdo aferë të denoncuar me fakte nga opozita për korrupsion, i ka dalë për Zot. Dhe rasti është ky, prandaj dhe ne nuk jemi bërë pjesë e këtij procesi. Ka mungesë vullneti nga mazhoranca dhe është një propagandë dite për të mbuluar fytyrën e zezë nga korrupsioni të Edi Ramës. Po, ne jemi për luftë ndaj korrupsionit, por për luftë reale, jo luftë me fjalë, jo një ripërsëritje sikurse u bë në vitin 2020. Në kulmin e betejës së opozitës, Edi Rama shpalli aksionin "Forca e Ligjit", do bënte copa-copa KÇK. I përdori si propagandë për të shpërlarë fytyrën dhe 6 muaj më pas i përdori për zgjedhje. Priteni në qeverisje krimin e organizuar.

Ervin Salianji: Për mua nuk duhet të kemi pjesëmarrje në një komision i cili u bë në mënyrë të njëanëshme, i cili u propozua si platformë elektorale nga Edi Rama që është një hedhje hi sysh për qytetarët dhe ndërkombëtarët për të gjithë situatën që po ndodh sot. Të besosh që Edi Rama që ka ngritur një sistem korrupsioni, jo vetëm korrupsioni por edhe krimi të futur në institucionet më të rëndësishme të këtij shteti ka ndonjë merak për reformë. E dyta, unë nuk besoj që Partia Demokratike dhe opozita mund të përdoren si instrument për të luftuar SPAK-un nga Edi Rama. Ky është komision propagandistik, nuk është bojkot fare. Ne kemi marrë pjesë në reformën në drejtësi, në reformën territoriale.

Luan Baçi: Presim mbledhjen e grupit parlamentar për të marrë një vendim dhe më pas të shprehemi. Për mendimin tim personal, më duket një farsë rezoluta për antikorrupsionin, një mazhorancë e korruptur prej 12 vitesh dhe me një copë letër kërkon të pastrojë veten. Ishte një vendim grupi për të abstenuar, u vendos pa një mesazh të qartë. Personalisht jam kundër.

Tomor Alizoti: Meqë ne kemi një grup shumë të nderuar, do të flasim me të nderuarit lart dhe pasi të flasim me ata lart, do vijmë të flasim edhe me ju poshtë. Qasja ime personale në këtë moment i bashkangjitet grupit, pasi të diskutojmë do të vijmë këtu prapë. Megjithatë, komisionet me Ramën, nuk janë shumë të suksesshme. Opozita në këto momente nuk po gabon.

Agron Gjekmarkaj: Do shprehemi njëherë në grup dhe pastaj këtu, se është më etike. Nuk e kemi vendosur ende se çfarë do të bëjmë, do ta diskutojmë dhe do t’ju themi

Ferdinand Xhaferri: Për çfarë të marrim pjesë në këtë komision, që në ditë të hëne të miratojmë rezolutën dhe të dalim në Komision, ndërsa të martën të dalim në protestë për shkarkimin e kryetarit të Bashkisë së Tiranës, për të nxjerrë Veliajn dhe PS për ta mbrojtur? Gabimi fatal do të thotë marrja pjesë në Komision.

Dhurata Çupi: Asnjë vend bosh që i takon opozitës nuk duhet të lihet bosh, na kanë votuar demokratët, janë karriget e demokratëve që përfaqësojmë, por unë do të pranoj çdo vendim të grupit.

Pas mbledhjes, kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi foli sërish për mediat duke u shprehur edhe arsyet e vendimit të demokratëve. Sipas tij, derisa të ketë një vendim lidhur me objektin e Komisionit, nuk do të ketë bashkëpunim nga ana e tyre. Po ashtu, shtoi se për çështjen ishte në diskutime të vazhdueshme edhe me ndërkombëtarët.  

PRONONCIMI I TIJ PËR MEDIA: 

Bardhi: Kush është objekti i këtij Komisioni të Posaçëm? Si mund të vendos vendimmarrjen kur nuk di objektin? Nuk ia vini mikrofonin Edi Ramës. Nuk duhet të më bëni pyetje mua me çfarë Edi Rama bën propagandë. Asnjë nuk e di objektin e punës së këtij Komisioni. Kjo tregon sa seriozisht e kanë këta për këtë korrupsion. Është futur në rendin e ditës dhe kuptojnë që nuk kanë vullnet por duan ta përdorin për propagandë. Jemi seriozë në luftën ndaj korrupsionit. Kemi bërë betejë dhe do të vazhdojmë ta bëjmë. Do ta përballim me fakte.

Po nëse maxhoranca e tërheq nga rendi i ditës?

Bardhi: Këtu do të shkojnë, do duan të bëjnë sikur konsultohen me opozitën. Nuk ka pasur asnjë konsultim. Kanë bërë çdo gjë fakt të kryer dhe tani duan të bëjnë propagandë me procedurat. Sa kohë e kanë nisur në këtë formë, të vazhdojnë në rrugën e tyre. I korruptuari nuk mund të zotohet se do të luftojë korrupsionin. Të më thuash mua tani, hajde ulu me të ngjashmit e Arben Ndokës. Mund të kisha përballë një person që ditën fliste me mua dhe natën porosisje vrasje. Keni dëgjuar që t'i kërkojë ndjesë qytetarëve të Lezhës? A është serioz, të dalë dhe të kërkojë ndjesë që një person akuzohet për vrasje ua vura për mirëqeverisje. Po na thotë ne hajde luftoni korrupsionin. Me kë, me Ballën, Xhaçkën, Manastirliun? Ata mbajnë përgjegjësi për afërat korruptive, por nuk jam për të shpërlarë fytyrën e tyre.

Gjatë kësaj kohe keni pasur komunikim me ndërkombëtarët, janë garanci e juaja?

Bardhi: Kam pasur edhe për këtë çështje, para dhe pas votimit të rezolutës. I kam dëgjuar më vëmendje. Por kjo është një çështje që tregon sa seriozë jemi ne për të luftuar korrupsionin. Ka qenë dhe mbetet e gatshme për të ndërmarrë çdo reformë të 2020. Na tha do luftojmë krimin e organizuar, dilte një vajzë e re simpatike dhe tha po luftojmë krimin. Në 2021, na i vuri përballë. Çdo gjë që thotë Edi Rama merrini në të kundërtën. Në këtë rast doli zbuluar, tha duam gjithëpërfshirje dhe tani e fut në rend dite. Këto nuk janë tema që mund të tallesh, sa kohë kanë të bëjnë me shtetformimin, duhet pala tjetër të jetë serioze. Ne kemi marrë një vendim që nuk e mbështesim me votë. Si mund të marrim pjesë në një Komision që ngrihet siç do Edi Rama.

A keni pasur kushte shtesë që Komisioni të jetë bipartizan?

Bardhi: Unë po them nuk ka pasur asnjë bisedim, na është bërë fakt i kryer futja në rendin e ditës pasi ne e kemi thënë këtë gjë. Gjatë kohës që ishim në mbledhje kemi marrë një njoftim për takim me kryetaren e Kuvendit. Ka kaluar orari i takimit, u shty takimi sepse ishte për propagandë dhe për t'i hedhur syve qytetarëve dhe faktorit ndërkombëtar, mund t'ja hedhi atyre, por opozitës jo.

Megjithatë vendet për opozitën janë 5 dhe me bojkotin e Rithemelimit nuk do të thotë që Partia Demokratike e vulës do të bëjë të njëjtën gjë. Këta të fundit kanë kërkuar më shumë sqarime lidhur me qëllimin e këtij Komisioni që pretendon të kthejë Kuvendin në mbikëqyrës dhe llogarikërkues ndaj qeverisë dhe institucioneve ligjzbatuese. Po ashtu, nuk dihet nëse ka një ftesë për deputetët e Partisë së Lirisë./ZËRI

Poll

MOS HUMB