
TIRANË- Në datën 13 Shkurt, SPAK do të shpallë pretencën për Fredi Belerin, kryebashkiakun e zgjedhur të Himarës, i cili qëndron pas hekurave që prej datës 12 Maj të vitit 2023. Avokati i Fredi Belerit hodhi sërish akuza në drejtim të Prokurorisë dhe Gjykatës së Posaçme, se ndaj klientit të tij është duke u ndërmarrë një gjyq politik. Para mediave, avokati tha se Beleri ka pasur një dënim të mëparshë, kur ka qenë i ri.
“Ka pasur dënim më parë, kur ishte i ri, nuk ta shpjegoj dot veprën penale e keni aty…”, tha avokati i Belerit, i cili tha se çështja do të dërgohet në Gjykatë kushtetuese.
Sipas tij ka kaluar çdo afat në rastin e Belerit, pasi GJKKO duhet të kishte shpallur një vendim 3 muaj pasi çështja do të kishte kaluar për gjykim.
Në seancën e sotme dëshmoi para SPAK Specialistja në Drejtorinë e Burgjeve, Anila Paci, lidhur me dëshminë e penalitetit të Belerit.
Në dëshminë e saj, Paci hodhi poshtë pretendimin e Belerit se është falsifikuar dëshmia e penalitetit. Sipas saj, “kur vijnë kërkesa individuale dhe personi e bën kërkesën vetë, për shkak të rehabilitimit e japim: i padënuar. Kur e kërkojnë institucionet edhe pse kanë akses, ne u japim të gjitha të dhënat e regjistrit të gjendjes gjyqësore, pra që është i dënuar”.
“Jam pyetur përpara disa muajsh nga Prokuroria e Posaçme për dëshminë e penalitetit të Belerit. Kam dhënë dëshmi përpara agjentëve të BKH. Institucionet shtetërore kanë akses ne regjistrat gjyqësorë, për të parë nëse një shtetas është apo jo i dënuar. Në rast se një person rezulton i dënuar, prokuroria në këtë rast, dërgon kërkesë për historikun e tij. Dokumenti printohet vetëm në rast se një person është i padënuar. Prokuroria nuk ka akses të printojë dënimin. Të dhënat vihen ne dispozicion nga ne. Në rastin Beleri, në regjistrin e gjendjes gjyqësore rezulton i ‘Rehabilituar’. Unë si specialiste, për kërkesat individuale nga E Albania’ e çaktivizoj sistemin kur rezulton ‘I dënuar’ dhe ia jap ‘I padënuar’.
Prokuroria e Vlorës ka të drejtën të hyjë në sistem. Prokuroritë shohin vetëm nëse një person është i dënuar apo i padënuar, por nuk kanë akses në te dhëna të tjera. Në këtë rast, KQZ ka bërë akses me shkrim ku kërkoi të dhëna për gjendjen gjyqësore dhe unë i kam dërguar të dhënat qe është i dënuar”, ka deklaruar Peçi.
Avokatët bënë kundërshtim të dëshmisë, por prokurorja Dorina Bejko tha se nuk mund të ketë kundërshtim “sa kohë dëshmia e Pecit është marrë në kuadër të një kallëzimi që ka bërë vetë Beleri për falsifikim dokumentesh”.
/ZËRI