
TIRANË- Partia Demokratike do të mbajë sot pasdite mbledhjen e Kryesisë, ku pritet që të pëcaktohet aksioni politik deri në zgjedhjet e ardhshme parlamentare, por edhe do të caktohen drejtuesit politik në çdo qark. Caktimi i këtyre emrave, që më pas iu jep të drejtën për të pasur dhe një vend të sigurt në listat për deputetë, duket se ka sjellë përplasjet e para brenda kampit blu, ku balancat janë delikate, edhe për shkak të qëndrimit të Sali Berishës në arrest shtëpie.
Në vendin e tij, frerët e partisë, të paktën në aspektin organizativ, i ka marrë Flamur Noka, dhe zgjedhjet e tij, duket se nuk janë pritur mirë nga të gjithë. Caktimi i Gazment Bardhit si drejtues politik në qarkun e Fierit, ka sjellë pakënaqësi në radhët e një pjese tjetër demokratësh, me në krye deputetin e këtij qarku Luan Baçi. Ku i fundsit ëshgtë shprehur për TCH, se nuk e sheh të udhës që të zëvendësohet nga Bardhi në krye të Fierit, pasi pretendon se e ka bërë shumë mirë punën e tij si drejtues.
“Unë vijoj të jam drejtues politik prej tre vitesh tashmë dhe mendoj se e kam drejtuar vërtet mirë qarkun e Fierit. Do respektoj vetëm vendimin e kryetarit të partisë ndërsa vendimet e këtyre që flasin në emër të kryetarit të partisë më vjen keq, nuk mundem”, tha Baçi në një intervistë për Top Channel.
Ndërkohë që Noka po i jep dorën e fundit listës së qarqeve, Tirana mbetet ende pezull, ku kryeqyteti pritet të ndahet në 8 zona elektorale. Ndërkohë që në krye të punëve të PD-së në Shkodër, është caktuar prej disa muajsh Luçiano Boçi, ndërkohë që në Elbasan është vendosur Ervin Salianji, që drejtoi më herët Kavajën, një nga të paktat bashki që u fituan nga demokratët në zgjedhjet lokale. Xhelal Mziu dhe Tritan Shehu i mbeten besnikë Dibrës dhe Gjirokastrës, njësoj si Oerd Bylykbashi në Durrës dhe Agron Gjekmarkaj në Lezhë.
LISTA E DREJTUESVE POLITIKË PD NË QARQE
Shkodër- Luçiano Boçi
Lezhë – Agron Gjekmarkaj
Dibër – Xhelal Mziu
Kukës – Flamur Hoxha
Durrës – Oerd Bylykbashi
Elbasan – Ervin Salianji
Fier – Gazment Bardhi
Korçë – Ivi Kaso
Berat – Eno Bozdo
Vlorë – Bujar Leskaj
Gjirokastër – Tritan Shehu
Qarku Tiranë ende i hapur
Pas mbledhjes së Kryesisë, PD do të mbledhë edhe Këshillin Kombëtar, ku do të përcaktohet dhe qëndrimi dhe aksioni i opozitës, deri në zgjedhjet e pranverës. Një prej kërkesave të tyre ka qenë qeveria teknike, por kjo duket e pamundur që të pranohet, sa kohë që zgjedhjet janë shumë afër./ZËRI