
LUKSEMBURG- Sot në Luksemburg mbahet Konferenca e Dytë Ndërqeveritare mes Shqipërisë dhe Bashkimit Evropian. Ministri hungarez i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë, Peter Szijjarto, i cili drejton këtë konferencë tha se dëshiron që Shqipëria të jetë pjesë e BE-së. Më tej ai shtoi se Hungaria do të ndihmojë në integrimin e Ballkanit Perëndimor në BE.
“Ajo çka kemi vënë në krye të agjendës është përshpejtimi i integrimit të Ballkanit Perëndimor në BE. Në fakt jetojmë në të njëjtin rajon dhe e dimë se çfarë ndryshimi ka zhvillimi në paqe dhe natyrisht që ne mund të ndihmojmë me zhvillimin e Ballkanit Perëndimor me zhvillimet paqësore në situatën e tyre. Kështu që do të ishim vërtetë të lumtur të kishim vendet e Ballkanit Perëndimor në BE, sidomos Shqipërinë. Kjo është dhe falë kryeministrit dhe kabinetit të tij sepse kanë bërë një punë të jashtëzakonshme”, tha Péter Szijjártó.
Gjithashtu, kryeminstri Edi Rama para se të fillonte konferenca tha se Shqipëria po përgatitet që të integrohet në BE brenda 2030.
Vendi ynë përfaqësohet në Luksemburg nga kryeministri Edi Rama, Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme Igli Hasani, Ministrja e Shtetit dhe Kryenegociatorja Majlinda Dhuka, Ministrja e Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin Adea Pirdeni, si dhe një delegacion i përbërë nga negociatorët përgjegjës për kapitujt përbërës të grupkapitullit të parë. /ZËRI