
TIRANË- Për herë të parë, kreu i Partisë së Lirisë, që tashmë ka statusin president, shkoi sot për herë të parë poshtë shtëpisë së kryedemokratit Sali Berisha. Në fjalën e tij për mediat që e ndoqën në të gjithë rrugën që ai përshkroi, Meta foli për disa çështje, duke u ndalur më gjatë tek mbështetja që ai i jep Berishës, duke u zotuar se do të fitojë zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Si shenjë për mbështetjen e tij ndaj kryedemokratit, veshi edhe bluzën që mban mbishkrimin: Lironi liderin e opozitës!
Pasi nisi fjalimin e tij, Meta kujtoi edhe një bisedë që kishte pasur me kryeministrin Edi Rama në prani të Petrit Vasilit dhe ish-kryeparlamentarit Gramoz Ruçit.
“Kam këtu Vasilin, më larg duhet të jetë Ruçi që na dëgjon, çfarë i kam thënë Edi Ramës në 2017-ën? I kam thënë sy më sy, “Mos e provoko më PD-në dhe opozitën, është fatkeqësi e madhe për mua që u bë 20 e ca vite në opozitë duke bashkëpunuar me ty, me Nanon e me Majkon dhe pas kaq vitesh, prapë politikani më serioz më del Sali Berisha,”- u shpreh kreu i PL.
PJESË NGA PRONONCIMI I METËS:
Ilir Meta: 27 vota kundër meje në votimet e sotme i quaj të sinqerta. E përgëzoj zotin Basha, Faikun. Zoti Faik është një atdhetar mbi të gjitha. Ka shërbyer në forcat e sigurisë. Ka kontribute publike. Nuk ka lidhje me atë përfituesin. PL është e qartë për dobësitë e saj. Beteja me mafian nuk është shaka, por betejë për jetë a vdekjes. Ankesat e Kryemadhit për Tedi Blushin? Ajo nuk mund të ketë ankesa për Vojo Kushin. Sikur të gjithë anëtarët e këshillit bashkiak, të hidheshin mbi patronazhistët si Tedi Blushi, Shqipëria sot do ishte vend tjetër.
Ju zgjodhët politikën para familjes?
Meta: Është e shtrenjtë për mua, por Shqipëria edhe më e shtrenjtë, edhe detyrimet ndaj vendit tim janë të jashtëzakonshme. Kam shumë borxhe dhe detyrime. Nuk shkoja dot më parë tek Berisha sepse isha kryetar, tani jam president. Ai është presidenti i përgjithshëm i të gjithë shqiptarëve. Nuk shkoja dot si kryetar. Pastaj ai nuk është në ballkon por në podium. Ata kujtojnë se e kanë izoluar por e kanë ndihmuar që të ngrihet në podium, që të jetë më afër qiellit dhe më afër zotit. I kam marrëdhëniet shumë të mira me opozitarët e vërtetë, mbi të gjitha me Sali Berishën. Unë besoj se Bardhi është opozitar i vërtetë. Ftesën për Këlliçin dhe Balliun i ka bërë Haxhinasto. Ai ka ftuar vetëm shkëlqesinë e tij, Sali Berisha. Se kë ka sjellë ai...Zoti Berisha nuk mund të vinte por është lider, lider në lartësi, jo kështu...Zoti Berisha edhe në tokë e sheh horizonin me lart, po në katin e 7 ku është ai? Duhet të jemi me këmbë në tokë dhe me zemrën më të fortë se kurrë.
Keni një mesazh të fshehur për lëvizjet e fundit?
Meta: Konventa është një shkundje. Mbaj mend që e kam pasur shtëpinë në katin e 5, shkundja qilimin që të pastrohej shtëpia. Edhe opozita ka nevojë për shkundje. Atë që kam shkund unë. Secili bën të vetëm./ZËRI