
TIRANË- Monika Kryemadhi mund të ketë paralajmëruar sot largimin nga politika! Para se të futej në sallën ku u mbajt Konventa e Partisë së Lirisë, Kryemadhi u rrethua nga gazetarët. E shoqëruar nga dy bashkëpunëtorët e saj, Endrit Braimllari dhe Elona Guri, Kryemadhi u shfaq e keqardhur për spostimin që po i bëhet në parti nga vetë bashkëshorti i saj, Ilir Meta. Këtë të fundit, kësaj here e krahasoi me Neoronin, i cili vlerësohet si një nga perandorët më të këqij dhe më mizorë në historinë e Romës së Lashtë.
Megjithatë u kujdes që të jepte disa mesazhe, së pari lidhur me "nepotizmin" që po e largon atë vetë nga Partia. Ajo theksoi se ata në konflikt interesi, s'duhet të kenë në të ardhmen poste politike. Më pas, u ndal tek fraksionet, por theksoi se nuk beson në to, duke lënë të kuptohet se nuk do ta krijojë një të tillë.
"Unë nuk besoj tek fraksionet, unë besoj tek vërtetësia e secilit nga ne. Frakisonin nuk e bën për shfaqje. Jam gladiatore me taka, nuk kam turp të vishem as nga takat, as të vishem si grua, nuk jam burrë. Por dua të theksoj se beteja e Kryemadhit është një betejë që ka të bëjë me rritjen dhe përgatitjen e shumë figurave të reja. Ashtu si Erisa Xhixho është kandidate për zv.presidente, që janë prapë 3 gra që kandidojnë, kjo do të thotë se vërtetë Partia e Lirisë ka elementin civilizues që është gruaja dhe vajza, dhe kjo të mos kthehet në fasadë por të prodhojë vlera, politikë, demokraci, lirime. Ajo çka dua të them është që aktrimi në politikë nuk iu shërben të rinjve dhe të reja mund të shërbej njerëzve momentalë, të cilët vijnë për të përfituar diçka."
"Bombën" e la për në fund, duke u shprehur se tani është koha që ajo të fokusohet tek fëmijët e saj, duke përmendur disa herë moshën dhe kohën në politikë.
"Normal që ndjej keqardhje pasi nuk mund të t'i fshijnë 30 vite politikë me një vendim për shkak se ke zgjedhur të ndërtosh familje dhe jo të ndërtosh përfitime. Për mua familja është më e rëndësishme se politika. Në 30 vjet jam investuar që në FRESSH për të ndërtuar të rinjtë dhe të rejat për ato që janë. Jam një nga akademitë politike më të vjetra në Shqipëri. Ka ardhur koha që prioritetet e Monika Kryemadhit janë Bora, Besi dhe Era. Në 30 vjet Monika ka qenë gladiatore në arenën e luftës, kur Neroni ngrinte gishtin, vrite ose lërë të jetojë. Por do të shikoj prioritet të tjera. Kam mbushur 50 vjeç, kam bërë një gjysmë shekulli, një gjysmë shekulli i ri do të vijë. Jeta është shumë e gjatë, çfarë sjell minuti nuk e sjell sekondi."
Paralajmërimi u dha, na mbetet të shohim nëse vërtetë do të heqë dorë nga politika, por duhet që të presim deri në zgjedhjet e ardhshme parlamentare ku do të zbulohet nëse do të garojë sërish për deputete. Me sa tha sot nga Kryemadhi, gjasat janë për "jo"./ZËRI