
TIRANË- “Marrëveshja e Shqipërisë me Italinë për emigrantët është unike, pavarësisht interesit nga qeveritë e tjera,”- deklaroi kryeministri Edi Rama për ”Financial Times”. Roma dhe Tirana ranë dakord vitin e kaluar për të ngritur qendra azili në Shqipëri, ku do të regjistroheshin disa mijëra emigrantë të nisur drejt Italisë dhe më pas do të prisnin derisa kërkesa e tyre për azil të shqyrtohej nga zyrtarët italianë.
Plani u prit me kritika nga grupet e të drejtave, por gjithashtu ngjalli interes nga disa qeveri evropiane të qendrës së djathtë. Partia Popullore Evropiane e qendrës së djathtë madje e bëri atë pjesë të platformës së saj zgjedhore për zgjedhjet e qershorit për Parlamentin Evropian.
Rama në një intervistë për Financial Times tha se qeveritë e tjera i ishin drejtuar për të përsëritur skenarin e marrëveshjes me Italinë.
"Unë thashë jo. Sepse nuk ka kuptim për mua. Italia është shumë e veçantë për ne, më shumë se një marrëdhënie strategjike. Është një miqësi e rrënjosur thellë.”
Rama tha se marrëveshja me Italinë bazohej në një histori të gjatë zbatimi të ndërsjellë të ligjit – pasi roja bregdetare italiane që ndihmoi Shqipërinë të kontrollonte emigracionin në vitet 1990. Kritikët argumentojnë se plani është i mbushur me probleme ligjore dhe kosto të larta. Por kjo nuk është një ide e re. Partnerët perëndimorë janë përpjekur të kenë ndihmën e Shqipërisë me emigrantët që kur vendi mirëpriti mijëra afganë pas tërheqjes së fuqive perëndimore në vitin 2020.
Megjithatë historia nisi me ish-kryeministrin e Mbretërisë së Bashkuar.
“Boris Johnson më telefonoi dhe më tha, le të bëjmë diçka së bashku. Le të nënshkruajmë marrëveshje që Britania të sjellë në Shqipëri emigrantët e paligjshëm për t'i mbajtur atje. Unë thashë, më falni, kjo nuk është e mundur,”- kujton Rama.
Ndryshe nga marrëveshja italiane, e cila kërkon strehimin e 3000 azilantëve, oferta e Mbretërisë së Bashkuar nuk ishte "një numër fiks".
“Ishte për të gjithë ata që shkojnë në Britani...si tranzit. U thashë se nuk ka mundësi. Pastaj, kishim të tjera qeveri që kërkuan të njëjtën gjë, por që nuk do t'i përmend. Janë ndër vendet më të pasura në Evropë. Kjo çështje nuk mund të trajtohet duke e transferuar problemin,” tha ai.
Përveç Shqipërisë, edhe vendet e tjera të Ballkanit mund të ndihmojnë nëse procesi do të strukturohej mirë. Por Evropa e ktheu në një çështje ideologjike, elektorale dhe harroi se do t'i duheshin njerëz për të shmangur një "dimër demografik" dhe një rënie ekonomike.
Aktualisht, më shumë se një milion shqiptarë kanë emigruar në BE dhe Mbretërinë e Bashkuar, gati një e treta e popullsisë totale të vendit.
“Nuk ka të bëjë me paratë,” tha ai, duke shtuar se: Ka të bëjë me hapjen e shtigjeve për t'u integruar dhe për të pasur të njëjtat kushte si anëtarët e BE.
Si një kritik i procesit të ngadaltë të zgjerimit të BE-së, Rama vuri në dukje se autoriteti moral i bllokut po zbehet.
“Evropa është ballkanizuar. Ne ende e shikojmë Evropën si një vend ku do të mbrohemi nga shpërthimet e nacionalizmit që na çojnë në konflikte dhe luftëra. [Por] lëvizjet nacionaliste në Evropë jo vetëm që kanë gjetur një hapësirë në politikë, por kanë infektuar ose prekur edhe lëvizjet e tjera,”-e mbylli Rama prononcimin.
Marrë nga Financial Times