
ITALI- Qeveria ka çuar për tu ratifikuar në parlament marrëveshjen për sigurimet shoqërore të firmosur mes dy shteteve Shqipëri e Itali. Nga kjo marrëveshje do të përfitojnë pensionet shqiptarët që punojnë në Itali por dhe shtetasit italianë që punojnë në Shqipëri.
Propozimi për ratifkimin e marrëveshjes ndërmjet dy vendeve për pensionet u bë prej ministrit të Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit dhe u miratua nga Këshilli i Ministrave në mbledhjen e sotme. Pritet që në seancën e ardhshme plenare në Kuvend të miratohet projektligji për njohjen e ndërsjelltë të sigurimeve shoqërore mes Italisë dhe Shqipërisë.
PËR
PROPOZIMIN E PROJEKTLIGJIT “PËR RATIFIKIMIN E MARRËVESHJES, NDËRMJET REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE REPUBLIKËS SË ITALISË NË FUSHËN E SIGURIMEVE SHOQËRORE”
Në mbështetje të neneve 81, pika 1, e 100, të Kushtetutës, dhe të nenit 17, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Propozimin e projektligjit “Për ratifikimin e marrëveshjes, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Italisë në fushën e sigurimeve shoqërore”, për shqyrtim e miratim në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, për shqyrtim e miratim në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, sipas tekstit dhe relacionit, që i bashkëlidhen këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë, thuhet në vendimin e qeverisë.
Marrëveshja u nënshkrua në Romë nga ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Igli Hasani, dhe ai i Italisë, Antonio Tajani. Nga marrëveshja pritet të përfitojnë rreth 500 mijë shqiptarë që kanë kontribuuar në Itali prej më shumë se 30 vitesh. Përveç Italisë, Shqipëria ka 16 marrëveshje të nënshkruara për njohjen e sigurimeve shoqërore me disa shtete si: Austria, Belgjika, Çekia, Gjermania, Hungaria, Kanadaja, Kosova, Luksemburgu, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi, Rumania, Turqia, Zvicra, Bullgaria, Kroacia.
/ZËRI