Sali Berisha do të vendoset në ‘arrest shtëpie’ dhe nën mbikqyrje policore, ka vendosur sot Gjykata e Posaçme.
Ndaj ish-kryeministrit kjo masë u mor sot nga GJKKO pas moszbatimit nga ana e tij të vendimit po të kësaj gjykate për ‘detyrim paraqitje’.
Berisha do të jetë i detyruar të qëndrojë në shtëpi dhe të mos ketë komunikim me asnjë person tjetër që nuk jeton me të, ndërsa zbatimi i masës do të jetë dhe nën mbikqyrje policore.
Ish-kryeministri dhe lideri i demokratëve akuzohet për korrupsion pasiv pasi po hetohet për çështjen e kompleksit Partizani, çështje për të cilën u prangos dhe u lirua më pas në masë 'arrest shtëpie' dhe dhëndrri i tij Jamarbër Malltezi.
Ndërsa dhënia e kësaj mase nga GJKKO pritej, ende nuk dihet se si Berisha do të drejtojë opozitën pasi atij i është ndaluar çdolloj komunikimi, përveç bashkëjetuesve të tij.
Sipas burimeve zyrtare, GJKKO ka vendosur që Berisha do të izolohet në banesën e tij.
Ai vetë është shprehur se nuk do të ndalojë luftën e tij ndaj kundërshtarit politik, Edi Rama të cilin e ka akuzuar dhe si orkestrues të ndjekjes penale karshi tij.
Vendimi i GJKKO:
Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, më datë 22.12.2023 i është drejtuar Gjykatës me kërkesën me objekt: Zëvendësim i masave të sigurimit personal shtrëngues, “Detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore” parashikuar nga neni 234 i K.Pr.Penale dhe “Ndalim i daljes jashtë shtetit”, parashikuar nga neni 233 i K.Pr.Penale, me masën e sigurimit personal shtrëngues “arrest në shtëpi” parashikuar nga neni 237 i K.Pr.Penale, ndaj personit nën hetim Z. Sali Berisha.
Në seancën gjyqësore të datës 30.12.2023, ora 12.00, Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, gjyqtarja Irena Goka, pasi shqyrtoi kërkesën, vlerësoi çështjen në tërësi, dëgjoi palët në kërkimin përfundimtar, bazuar në nenet, 228, 229, 230, 231, 232, 233, 237, 249, 260/2, 466 të Kodit të Procedurës Penale,
VENDOSI:
Pranimin e kërkesës së Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.
Zëvendësimin e masave të sigurimit personal me karakter shtrëngues “detyrimi për t’u paraqitur në policinë gjyqësore” parashikuar nga neni 234 i K.Pr.Penale dhe “Ndalim i daljes jashtë shtetit” parashikuar nga neni 233 i K.Pr.Penale, caktuar me vendimin Nr.112, datë 20.10.2023, verifikuar me vendimin nr. 117 datë 26.10.2023, të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, lënë në fuqi me vendimin nr. 56 datë 21.11.2023, të Gjykatës së Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me masën e sigurimit personal shtrëngues “arresti në shtëpi”, parashikuar nga neni 237 i K.Pr.Penale, ndaj shtetasit nën hetim Sali Berisha, i biri i Ramës dhe i Shiqere-s, i datëlindjes 15.10.1944, lindur në Tropojë, me nr. personal E40701031R, i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërore ose të zgjedhurve vendorë”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 260 e 25 i Kodit Penal.
2.1. Urdhërohet shtetasi nën hetim Sali Berisha, të mos largohet nga banesa e tij e ndodhur në adresën: Rruga “Mustafa Matohiti“, Ndërtesa 36, Hyrja l, Nd. 036, Njësia Administrative nr. 2, Tiranë si dhe të mos komunikojë me persona të tjerë përveç atyre që bashkëjetojnë në të njëjtën banesë me të.
3-Për ekzekutimin e këtij vendimi ngarkohet Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, përfaqësuar nga prokurorët Arben Kraja dhe Enkeleda Millonai.
4- Mbikëqyrja e zbatimit të masës së sigurimit “arrest në shtëpi”, parashikuar nga neni 237 i K.Pr.Penale, si dhe urdhërimeve të përcaktuara në këtë vendim të kontrollohet nga Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar dhe shërbimet e policisë gjyqësore, pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit.
5-Kundër këtij mund të bëhet ankim nga palët, brenda pesë ditëve, në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.