
TIRANË- Kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj është paraqitur mëngjesin e kësaj të marte në Prokurorinë e Posaçme. Jashtë SPAK është pritur nga disa qytetarë që e kanë thirrur me fjalët ‘hajdut’.
Në krye të qytetarëve, mbështetës të Rithemelimit, qëndonte Klevis Balliu, të cilit Veliaj i ka kutjuar makinën e shtrenjtë me të cilën qarkullon në Tiranë.
"Hajdut thuaj Fahri Balliut që ka makinë 100 mijë euro”, ishte përgjigja e Veliajt, që nuk e ka pritur aspak me sportivitet, pritën e bërë nga një grup qytetarësh.
Burime bëjnë me dije se Veliaj do të merret në pyetje nga SPAK për aferën e inceneratorëve, ku ai i Tiranës është ende nën hetim nga Prokuroria e Posaçme.
Pavarësisht interesit mjaft të madh të gazetarëve të pranishëm në hyrje të SPAK, Veliaj nuk ka pranuar që të komentojë për këtë zhvillim, dhe është futur menjëherë në dyert e Prokurorisë së Posaçme.
Ka qenë prokurori Dritan Prençi ai që ka kërkuar marrjen në pyetje të Erion Veliajt, i cili pak ditë më parë e paralajmëroi edhe vetë paraqitjen përpara Prokurorisë së Posaçme. Veliaj tha se do të ofronte të gjithë dokumentacionin e nevojshëm, që mund t’i shërbejnë prokurorëve të SPAK. Veliaj nuk pritet që të pyetet për dosjen 5D, pasi ajo çështje është duke u hetuar në dosje më vete.
Me urdhër të SPAK, pak javë më parë u arrestuan disa drejtorë të rëndësishëm në Bashkinë e Tiranës, të cilët kishin ngritur një kompani, duke fituar miliona euro tendera nga vetë institucioni ku kishin role drejtuese.
Për Veliajn kjo është hera e parë që merret në pyetje nga Prokuroria e Posaçme, ndërkohë që me interes do të pritet një komunikim i tij pasi të lërë ambientet e SPAK.
/ZËRI