
TIRANË- Kush donte ta fundoste Safet Gjicin, kush e nxiti Alma Kaçin, po videon kush e nxorri në media? Këto janë pyetjet më të natyrshme teksa lexon dosjen e plotë që ka siguruar ZËRI për videoskandalin seksual që ndodhi në zyrat e Bashkisë së Kukësit, pak ditë pasi Safet Gjici do të fitonte mandatin e dytë si i pari i qytetit. Vetë Gjici pretendon se videon e kanë porositur kundërshtarët e tij, e madje pretendon se akti përveçse shkelje etike, nuk ka asnjë lidhje me përgjegjësinë e tij ligjore, pasi projekti për Alma Kaçin nuk kishte kaluar në bashki.
Nuk kishte kaluar se Gjici nuk u korruptua, apo se video u nxor shumë shpejt në media, kjo është një çështje tjetër… Pala tjetër e historisë është Alma Kaçi, 40-vjeçarja që shërbente me kohë të pjesshme si agjente apo gazetare e emisionit Fiks Fare, e pranuar dhe nga vetë drejtuesit dhe punonjësit e këtij programi. Ata pranojnë se e kontaktonin shpesh Almën për misione dhe lajme të tyre, por jo në rastin e Gjicit.
Deri këtu vetëm sa shtohen pikëpyetjet….
Në dosjen e SPAK, shtetasi Abedin Oruçi zhvishet nga përgjegjësia për porositjen dhe publikimin e videos, e madje Alma Kaçi thuhet se ka ngritur një skemë, që paraqitet në biznesin e tij për të lënë USB-në, të cilët pretendon se Oruçi ia ka marrë me forcë, dhe më pas shkon ta marrë po vetë të njëjtin material, konsultuar kjo nga pamjet filmike.
Pas realizimit të videos, Alma Kaçi kishte vënë në dijeni emisionin Fiks Fare, të cilët pretendojnë se nuk do ta publikonin materialin, dhe se 40 vjeçarja nuk ishte kontaktuar prej tyre për këtë mision në zyrën e Gjicit. Në dëshminë në SPAK të kryeredaktores së Fiks Fare, thuhet se dijenia që mund të kishin persona të tjerë për videon e bënte kategorike mundësinë që ata nuk do ta publikonin atë.
Sipas SPAK është e vërtetë që Alma Kaçi e ka njohur dhe ka komunikuar me shtetasin Abedin Oruçi si para dhe pas regjistrimit të videos, po ajo më vonë sipas prokurorëve, ka tentuar që ta shfrytëzojë atë si alibi.
“Është e vërtetë që ajo ka njohur dhe ka komunikuar me shtetasin Abedin Oruçi, si para dhe pas regjistrimit të videos. Më vona Alma e ka regjistruar me tabletin e saj përmbajtjen e bisedave me shtetasin Abdin Oruçi, por të fjitha komunikimet të lënë përshtypjen se Alnma Kaçi po krijonte një tezë për veten e saj, në momentin kur ajo krijoi bindjen se video posedohej dhe nga persona të paautorizuar prej saj”, thuhet në dosjen e Prokurorisë.
Pra sipas SPAK, për videon përveç Alma Kaçit, Fiks Fare dhe Abendin Oruçit kanë qenë në dijeni, apo e kanë poseduar persona të tjerë të paidentifikuar. Oruçi pretendon se videon e ka parë si përmbajtje nga një person që i është prezantuar si gazetar, dhe koleg i Almës.
“Organi akuzës nëpërmjet provave të grumbulluara gjatë hetimit krijon bindjen se Alma Kaçi për të mbrojtur veten, ka krijuar një situate fiktive në lidhje me dorëzimin e USB (e cila kishte videon e realizuar prej saj në zyrën e Safet Gjicit), se USB-në ia kishte marrë Abedin Oruçi, duke iu dhënë gazetarëve të fiks se materiali original mbahej nga ai. Por në të vërtetë ajo e ka poseduar regjistrimin e plotë (në USB e gjetur gjatë kontrollit të banesës së saj në datën 17.06.2023 nga organi procedues)”, thuhet më tej në dosjen e Prokurorisë së Posaçme.
“Nga provat e marra (pamjet filmike tek Karburanti OMW dhe tek UKT) vërtetohet fiktiviteti i veprimit të saj, pasi më dateë 15.06.2023 ajo evidentohet në ora 13:33 tek Karburant OMW, që tregojnë se ajo shkon tek ky karburant me makinën e saj Opel, komunikon me punonjësin e karburantit, dhe me pas ajo shfaqet sërish aty në orën 14:42 me Blue Taksi dhe merr një USB, e ulur në vendin e pasagjeres, veprime keto te dokumentuara me pamjet filmike respektive të kqyrura nga organi procedues por dhe me deklarimet e shtetasit Luan Faja i cili ka qenë taksisti që e ka shoqëruar tek karburanti, si dhe nga deklarimet e shtetasit Pjerin Ratja punonjës i karburantit. Ne oren 14.36 shtetasja Alma Kaçi shfaqet në ambientet e jashtme teë UKT dhe është në pritje të një taksie”, sqaron dosja. Ndërkohë që duke iu referuar pamjeve në lokalin e Abedin Oruçit, sipas SPAK, nuk vërtetohet që Kaçi t’i ketë dorëzuar apo dhënë atij ndonjë material.
Në këtë mënyrë, përveç dijenisë së tij për videon dhe komunikimeve me Kaçin, Abedin Oruçi nuk është një person i dyshuar si autori i shpërndarjes së videos sipas SPAK. Vetë Oruçi është shprehur se gazetari që i ishte prezantuar si kolegu i Almës, i kishte vënë në dispozicion videon, por ai nuk kishte shfaqur asnjë interes në publikimin e materialit.
Personi që shfaqet si gazetar, me theks kosovar dhe koleg i Alma Kaçit mbetet i paidentifikuar nga SPAK. Kështu Alma Kaçi, gjithnjë duke iu referuar SPAK, duket se ka luajtur në disa porta, në njërën anë ajo ka tentuar që të implikojë dhe Abedin Oruçin, dhe nga ana tjetër gënjente dhe redaksinë e Fiks Fare se USB-ja i ishte marrë me forcë.
Teksa Alma bënte këto manovra, dikush tjetër, ose ndoshta edhe vetë protagonistët që ishin në dijeni, e hodhën videon për konsum publik, e prej asaj dite historia dihet. Safet Gjici në burg, e Alma Kaçi në arrest shtëpie, nën akuzat e korrupsionit dhe shpërdorimit të detyrës, për… qentë!
/ZËRI