Politikë

Kush do e pasojë Rrumbullakun në krye të Policisë/ Hoxha komenton emrat më të përfolur: Iu japim shansin grave dhe vajzave

Ervin Hoxha ka zbuluar objektivat e tij në krye të Ministrisë së Brendshme, ku më kryesorja duket se është ndryshimi i gjeneratave në radhët e policisë së shtetit

E.K
Kush do e pasojë Rrumbullakun në krye të Policisë/ Hoxha
ervin hoxha

TIRANË- Ministri i Brendshëm Ervin Hoxha ka zhvilluar një takim informal me gazetarët, ku ka shpalosur vizionin dhe objektivat e tij në krye të një prej dikastereve më të rëndësishme në qeveri. Një prej objektivave më të rëndësishme që ka nisur të zbatohet nga Hoxha, është ajo për ndryshimin e gjeneratave në radhët e policisë së shtetit, proces i cili ka nisur me hapjen e konkursit për zgjedhjen e e drejtuesve të rinj në komisariate.

Po ashtu Hoxha tha se do të nxiten edhe vajzat dhe gratë që të jenë pjesë e drejtimit të policisë, gjë e cila nuk ka qënë fort e zakonshme për uniformat blu në Shqipëri. Sipas Hoxhës, për herë të parë drejtuesit e policisë që do të zgjidhen do të testohen dhe për aftësitë e tyre të komunikimit me publikun.

Një tjetër projekt ku u ndal ministri i brendshëm, ishte dhe ‘smart city’, i nisur nga parardhësi i Hoxhës, Taulant Balla. Ky projekt synon që në të gjithë vendin të ketë një mbulim më të mirë dixhital, jo vetëm sa i takon kamerave të sigurisë që do të instalohen në qytete, por edhe të një regjistri për targat dhe shumë elementë të tjerë, që mund të lehtësojnë në parandalimin dhe zbardhjen e ngjarjeve kriminale.

Hoxha tha gjithashtu në takimin informal me gazetarët, se shumë shpejt çdo qytetar do ketë në celularin e tij pasaportën ose ID-në dixhitale, kur shkon për të marrë shërbime.

Sipas weblajm, gjatë bisedës, Hoxha u ndal dhe te vrasja e Egli Progës, në Pogradec, duke thënë se nuk ka pasur një tentativë për fshehje të ngjarjes, por një mungesë transmetimi në mënyrë korrekte të ngjarjes dhe sipas tij përgjegjësia ka qenë e Policisë së Korçës.

Sa iu takon emrave që përfliten për të pasuar Muhamet Rrumbullakun, në krye të policisë së shtetit, si drejtuesi i qarkut Gjirokastër Ardian Çipa apo drejtuesi i qarkut Durrës Skënder Hita, Hoxha tha se asnjë prej kandidatëve nuk do të përjashtohet nga gara. Sipas tij emri i drejtuesit të ri do të vendoset nga Komisioni i Emërimit, dhe jo nga vetë ministri, siç ka ndodhur deri tani. /ZËRI

Poll

MOS HUMB