
TIRANË – Gjatë zhvillimit të Samitit të Berlinit në Tiranë, kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka zhvilluar një takim me kryesuesin e Komisionit për Punë të Jashtme të Parlamentit gjerman, Michael Roth.
Kryeministria e Kosovës njoftoi se Kurti dhe Roth kanë biseduar për zhvillimet e fundit, por edhe për dialogun mes Beogradit dhe Prishtinës. Në lidhje me dialogun, që ndërmjetësohet nga BE-ja, Kurti i ka bërë të qartë Roth, se negociatat me Serbinë, nuk mund të vijohen, sikur nuk ka ndodhur asgjë.
Kryeministria e Kosovës thekson se dialogu për normalizimin e raporteve duhet ta ketë parasysh, veprimin agresor të Serbisë, përmes sulmit terrorist të 24 shtatorit në Banjskë. Sipas Kryeministrisë së Kosovës, ka fakte të pakundërshtueshme, se pas sulmit, fshihet Serbia.
“Qasja në proces duhet të jetë e balancuar, të respektohet dhe zbatohet në plotni Marrëveshja Bazike dhe aneksi i saj. Serbia të zmbrapset nga refuzimi publik dhe faktik i pjesëve të Marrëveshjes Bazike të cilat kanë të bëjnë me njohjen de-facto të Kosovës dhe integritetin tonë territorial”, thuhet në njoftim.
Më tej, njoftimi thotë se u bisedua edhe për mundësinë që Kosova të anëtarësohet në organizata të tjera ndërkombëtare, si dhe për krijimin e marrëdhënieve më të ngushta mes Kosovës dhe Gjermanisë. Kurti falënderoi Michael Ruth, për mbështetjen gjermane të Kosovës. Kurti dhe Ruth ishin takuar dhe më herët, më 11 shtator, në Prishtinë.
Tirana pret sot për herë të parë Samitin e Procesit të Berlinit ku marrin pjesë krerët e BE-së, si dhe drejtuesit e shteteve kryesore të saj. Në takim mungon kryeministrja italiane Meloni, për shkak të axhendës së ngjeshur, ndërkohë që presidenti francez, Macron do ti bashkohet pasdite Samitit. Punimet e samitit do të zgjasin deri në orën 19 të pasdites./Zëri.ai/