Politikë

Kurti shkon në Shkup me kërkesa konkrete: Do i dorëzojmë BE listën me reformat që duam mbështetje

Kurti në fjalimin e tij tha se nevoja për zgjerim të Bashkimi Evropian është urgjente

E.K
Kurti shkon në Shkup me kërkesa konkrete: Do i dorëzojmë BE
Albin Kurti

SHKUP- Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i pranishëm në samitin e liderve të Ballkanit Perëndimor që po mbahet në Maqedoninë e Veriut, tha se “Plani i Rritjes” do të mundësojë të ketë bashkëpunim më të madh dhe ecje më të përshpejtuar drejt BE-së.

Kurti, në kuadër të takimit të liderëve rajonalë në Shkup të Maqedonisë së Veriut, me përfaqësues të Bashkimit Evropian dhe SHBA-së tha se vlerat e BE-së duhet të bëhen reforma në rajon. Ai bëri të ditur se ka një listë të reformave dhe projekteve, për të cilat Kosova do të kërkojë mbështetjen e BE.

“Vlerat e Bashkimit Evropian duhet të bëhen reforma tek ne, ndërkaq mbështetja e Bashkimit Evropian duhet të jetë edhe financiare. Plani i Rritjes nënkupton gjashtë miliardë euro për rajonin tonë, meqë rast sasia e mjeteve që merret varet nga punët e mira që bëjmë dhe nga performanca e suksesshme që e tregojmë.

Republika e Kosovës sot do të dorëzojë listën e reformave të diskutuara, ndërkaq në ditët në vijim do të dorëzojmë edhe listën e projekteve indikative. Sa i përket reformave, aty në qendër e kemi reformën e Administratës Publike dhe të menaxhimit të financave publike, ndërkaq të projekteve e kemi ato për agjendën e gjelbër, digjitalizimin, investimet në sektorin privat dhe ngushtimin e hendekut infrastrukturor…

Ky takim është shumë i rëndësishëm i cili do të mundësojë që të ketë sa më shumë bashkëpunim rajonal por edhe ecje më të përshpejtuar drejt Bashkimit Evropian, i cili është edhe qëllimi dhe fati ynë”, theksoi Kurti.

Kurti tha në fjalimin e tij se BE ka nevojë urgjente për t’u zgjeruar, teksa agresioni rus vijon në Ukrainë.

“Kemi nevojë për zgjerim urgjent, për shkak se agresioni rus po vazhdon në Ukrainë. Duhet te jetë mundësi për bashkëpunim të fuqishëm rajonal. Kosova është e gatshme për reforma, që rajoni të integrohet dhe qytetarët të përafrohen”, tha ndër tjera Kurti./ZËRI 

Poll

MOS HUMB