
TIRANË- Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha është njohur Live me kërkesën e Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) për masën e sigurisë “Arrest shtëpie” të kërkuar për të në Gjykatën e Posaçme. I pyetur nga gazetari i ZËRI-t Edon Kuqi gjatë konferencës me gazetarët se si do të vijojë drejtimi i PD në kushte të tilla, në një kohë që dhe beteja opozitare në Kuvend do bëhet e vështirë me ndryshimet e reja, Berisha u shpreh se asgjë se ndal fitoren. Ndërsa pyetjes se cili do të jetë fati i kësaj force politike në kushtet ku kryetari i saj do jetë në "Arrest shtëpie", ndërsa deputetët jashtë Kuvendit, kryedemokrati u shpreh se fati i opozitës është fitorja, duke shtuar se koha ka treguar se opozita nuk mposhtet as me burgje.
Pyetje: Në kushtet ku ndodhemi tani, jemi përpara faktit të kryer që ka kërkuar arrest shtëpie për ju…
Sali Berisha: Arrest, ku e more vesh ti? Prit, me burg.
Pyetje: Ka dorëzuar kërkesë në GJKKO. Si do të vijojë drejtimi i Partisë Demokratike dhe në kushtet e betejes opozitare në Parlament me ndryshimet e reja deputetët rrezikojnë deri në 60 ditë përjashtim. Me deputetë jashtë Parlamentit dhe me ju mbase në arrest shtëpie, cili do të jetë fati i opozitës?
Sali Berisha: Fati i opozitës do të jetë fitorja. Nuk i kanë mposhtur kurrë opozitat me burgje. E kanë provuar! Dy gjëra tregon historia, se me burgje dhe atentate, opozitat nuk mposhtet kurrë. Jo! Kanë dështuar të gjithë ata që kanë përdorur këto praktika.
Kryedemokrati Sali Berisha akuzohet për “Korrupsion pasiv i funskionarëve të lartë ose të zgjedhurve vendorë kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 260 dhe 25 i K.Penal”. Për këtop vepra penale, ligji parashikon një dënim nga 3 deri në 12 vite burg. Për shkak të moshës së tij të thyer, SPAK pritet që t’i kërkojë GJKKO masën e sigurisë arrest shtëpie për liderin historik të demokratëve, i cili nuk ka ndërmend që të tërhiqet nga drejtimi i partisë. Të paktën kështu është shprehur në të gjitha daljet e tij publike./ZËRI