
TURQI- Pas nënshkrimit të marrëveshjeve mes dy vendeve, kryeministri Edi Rama dhe presidenti Erdogan kanë mbajtur një deklaratë të përbashkët. Gjatë fjalës së tij kreu i shtetit turk, tha se volumi tregtar me Shqipërinë do të shkojë në 2 miliardë dollarë. Ai gjithashtu premtoi se do qëndrojë krah Shqipërisë ndërsa këmbëngul sërish për luftën ndaj gylenistëve.
"Përforcuam bazën juridike të bashkëpunimit tonë. Volumi tregtar ka arritur në 1 miliardë dollarë, objektivi ynë është ta çojmë në 2 miliardë dollarë. Kam besim se do ia arrijmë në një kohë shumë të shkurtër", tha Erdogan.
"Pjesë e axhendës sonë ishte dhe pastrimi i mbetjeve të FETO-s e cila vijon aktivitetet e saj me qëllim për ti hedhur hije marrëdhënieve tona. Ne nuk do ta lejojmë që kjo të arrijmë. Edhe autoritetet shqiptare janë të vetëdijshme me këtë. Lufta jonë me këtë strukturë do të vijojë", shtoi ai.