
TIRANË- Komisioni hetimor lidhur me shërbimet publike të sterilizimit dhe të check-up në shëndetësi u zhvillua mes debateve. Në mbledhjen e dytë të komisionit për shëndetësinë ka patur përplasje mes Plarent Ndrecës dhe Albana Vokshit. Kjo e fundit kryetare e komisionit hetimor të Shëndetësisë, në një deklaratë për mediat u shpreh se mazhoranca po tenton të pengojë hetimet. Sipas saj mazhoranca duket se është në panik teksa tentuan të “uzurpojnë” drejtimin e komisionit.
Ajo shtoi se nënkryetari Plarent Ndreca po zbaton “urdhrat” e marra për të penguar punimet e komisionit dhe nuk zbaton as rregullat elementare të legjislacionit, duke pasur parasysh momentin që ky i fundit mori përsipër të hidhte për votim një çështje, që nuk është në kompetencën e tij.
"Ashtu siç edhe pritej mazhoranca tentoi të bllokonte punimet e komisionit. Ne çdo herë që mblidhemi po mundohemi të evidentojmë që ligji për komisionet e kanë bërë qëllimshëm për të penguar hetimet parlamentare. Duke u kapur pas neneve që bien ndesh me Kushtetutën tentojnë të pengojnë hetimin për 200 mln euro. Refuzuan miratimin e kërkesave për informacion”,-tha Vokshi.
Gjatë mbledhjes Vokshi dhe Ndreca janë përplasur për rolin e sekretarit të komisionit dhe për një mosmarrvehsje lidhur me shtyrjen e orarit të komisionit. Socialistët kërkuan sot që kryetarja e komisionit Albana Vokshi të informojë sekretarin. Por kjo nuk është pranuar nga Vokshi, e cila e ka konsideruar si përpjekje për të monopolizuar drejtimin e komisionit. Për këtë Plarent Ndreca tha se Vokshi se po thyen Kodin e Etikës.
/ZËRI