Politikë

'Ke vjedhur'/ Ndreca i paralajmëroi me gjyq, deputetët e PD: Je në hetim nga SPAK. Gati dosja tjetër!

Tjetër përplasje PS-PD.

k.m.
'Ke vjedhur'/ Ndreca i paralajmëroi me gjyq, deputetët e PD:
Plarent Ndreca dhe Gazment Bardhi

TIRANË- Një përplasje e re, virutale kësaj here, ka ndodhur mes kreu të grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhit dhe Plarent Ndrecajt. Teksa ky i fundit ishte në emisionin "Opinion" u përball me deputetin e Partisë Demokratike, Tomorr Alizotin, i cili e akuzoi se po hetohet nga Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar për vjedhje. Menjëherë, Ndreca ndërhyri dhe tha se ishte thirrur si person në dijeni dhe se ndaj tij nuk ishte ngritur asnjë akuzë. Madje i kërkoi demokratit që të tërhiqte pas komentin e bërë në studio. 

DEBATI NË STUDIO:

Plarent Ndreca: Fjala korrupsion nuk ekziston në atë çështje. Unë nuk jam kallëzuar hiq njëherë, por janë bërë verifikime.
Tomorr Alizoti: Folët gjatë për opozitën. Ne nuk jemi nën hetim
Plarent Ndreca: Keni të pandehur kryetarin, udhëheqësin e madh, kështu që mos u fut aty se...Ti nuk e ardhur si Tomorr por si përfaqësues i PD-së.
Tomorr Alizoti: Edhe ju jeni nën hetim, pse nuk më thërrasin mua?
Plarent Ndreca: Sepse ti nuk ke firmosur kurrë?
Tomorr Alizoti: Duhet të kesh bërë ndonjë cirk të vogël atje...
Plarent Ndreca: Ti po merresh me personale, ti po merresh me mua, kot tani...Edhe nuk e di edhe merresh.
Tomorr Alizoti: Kur bën politikë dhe jep leksione sesi duhet të jenë të tjerët duhet të jeni vetë i pastër. Mos na jepni ne leksione për alternativën politike. Ti je nën hetim për vjedhje më jep leksione mua?
Plarent Ndreca: Ai i shkreti nuk di gjë, kaq di. Ki kujdes! Se deklaratat e rreme. Unë avokat jam, e kam copy-paste padinë. Pse e gërricesh kot? Ti nuk e di fare! Ti nuk e di fare çështjen nën hetim, e di vetëm unë dhe hetuesi i çështjesh. Sapo më përmende vjedhjen. Është shumë e rëndë si fjalë. Fjala vjedhje është shumë e rëndë, tërhiqe se është e pasaktë.

Por nuk mbaroi me kaq! Gjatë emisionit ‘Opinion”, moderatori Blendi Fevziu lexoi mesazhin që i erdhi në telefon nga kreu i grupit parlamentar i PD. Gazment Bardhi. Edhe ky e akuzoi socialistin Plarent Ndreca se është nën hetim, pasi akuzohet sipas tij për shkelje të barazisë në tendera. Nga ana tjetër, Ndreca mohon çdo akuzë që pretendon Gazment Bardhi, duke thënë se ai nuk është në hetim. Madje i kërkoi që t'i dërgonte mesazhin e Bardhit pasi me komentin e bërë, këtë të fundit do ta priste një padi.

DISKUTIMI NË STUDIO:

Blendi Fevziu: Kryetari i grupit parlamentar i PD, se ky i di të gjitha, Gazment Bardhi më thotë: meqenëse na thotë se nuk ka vjedhur, Plarent Ndreca është person nën hetim bazuar në një kallëzim të bërë nga Kontrolli i Lartë i Shtetit, akuzuar për shkeljet në barazisë në tender kryer në bashkëpunim, me abuzim miliona euro për rikonstruksionin në disa godina të komisariateve. Qartësisht SPAK ka dalë në konkluzionin që Plarent Ndreca, sekretar i përgjithshëm, ka shkelur ligjin në paracaktimin e kompanisë fituese.

Plarent Ndreca: Do ma çosh atë mesazhin mua!

Blendi Fevziu: E lexova këtu.

Plarent Ndreca: Jo ma ço se nuk është e vërtetë!

Blendi Fevziu: S’është e vërtetë! Konfirmim, që s’është e vërtetë. Zoti Bardhi s’është e vërtetë thotë Ndreca.

Plarent Ndreca: S’është e vërtetë. Zero kallëzim për mua, zero lekë të shpenzuara nga buxheti i shtetit.

Blendi Fevziu: Zero kallëzim për ty.

Plarent Ndreca: Nuk jam kallëzuar unë nga Kontrolli i Lartë i Shtetit. Zero lekë nga buxheti i shtetit. Duhet të ketë durim se edhe Gazment Bardhi nuk ndryshon nga këta përballë ore, atë do ai.

Emisioni është mbajtur para 4 ditëve, por diskutimet ende vazhdojnë. Sot, i dërguari politik i Partisë Demokratike për qarkun e Tiranës, Belind Këlliçi doli në një konferencë për mediat lidhur me këtë çështje. Nga selia blu, Këlliçi ka denoncuar lidhjet që sipas tij, deputeti socialist, Plarent Ndreca ka me inceneratorin e Tiranës. Sipas Këlliçit, Ndreca del në skenë përmes ortakut në kompaninë e tij, i cili rezulton i arrestuar dhe dënuar për krijimin e skemave mashtruese financiare. Ai paralajmëroi gjithashtu se informacionet që disponojnë do t’ia dërgojnë Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. 

“Ben Caka ka një vëlla që quhet Ferdinand Caka i cili ka qenë ortaku në biznes prej shumë vitesh i Plarent Ndrecës. Xhuljan Caka i biri Ferdinandit, fillimisht dhe ky në moshën 20-vjeçare, ka qenë ortaku në biznes i Plarent Ndrecës, më pas është punësuar si Drejtor Juridik pranë Ujësjellës Kanalizime Tiranë, duke vazhduar në pozicionin e titullarit në sektorin e gjykatave pranë Drejtorisë Juridike në Bashkinë Tiranë, për tu punësuar më pas si Përgjegjës Sektori në Ministrinë e Brendëshme kur Plarenti ishte Sekretar i Përgjithshëm i kësaj ministrie, nga e cila mbahet mend nga çdo shqiptar për vjedhjen me tenderin famoz të uniformave të Policisë së Shtetit, aferë për të cilën Plarenti u amnistua plotësisht nga kolegët e Erionit në SPAK. Sot i takon kolegëve të Erionit në SPAK të hedhin dritë mbi faktin se përse Merila Luga, lidhje e ushtarit Plarent Ndreca të cilës ju besua drejtimi i kompanisë famoze EM CAPITAL, nuk është marrë kurrë në pyetje dhe nuk është ende nën hetim. Kompania EM CAPITAL, sipas gazetarëve që ndjekin SPAK, ka kryer disa transaksione me kompani të lidhura me Erion Veliajn, e për të cilat sot SPAK ka nisur një hetim pasuror për pronarin faktik të Inceneratorit të Tiranës,“-tha në fjalën e tij Këlliçi.

Përgjigjen e mori shumë shpejt nga Ndreca. Në Facebook, socialisti me tone irone komenton deklaratën e Këlliçit, duke shtuar se nuk ka asnjë lidhje me atë për të cilën po e akuzon Partia Demokratike. 

"Sot paska dalë në konferencë për shtyp e përmendur emrin tim, i vetmi drejtues politik në historinë 30 vjeçare të pluralizmit shqiptar që ka mbaruar vetëm 8 klasë shkollë. Doktori i shkencave të tetologjisë (shkenca e të diturit deri në klasë të tetë), sot ka bërë një paradë emrash qytetarësh të lirë të këtij vendi, vetëm e vetëm për ti lidhur me emrin tim, për ca proçese, që ky rrenacaku me tetë klasë, e di shumë mirë që unë skam asnjë lidhje, por si një komunist i brezit të ri, mendon se më intimidon në punën që unë bëj. Shumë mirë ke bërë more bolshevik i vockël i komunistit të madh, por do të lutesha shumë që kur ti drejtohesh SPAK: 1. Të shkruash emrin tim saktë, pastër dhe pa asnjë gabim. 2. Të bësh kallëzim penal dhe jo “informacion”, siç e keni bërë zakon sëfundmi. 3. Të vesh qartë pastër dhe pa gabime veprën penale që kam kryer,"-shkruan ndër të tjera Ndreca.

Por nuk është mbyllur me kaq! Tashmë përplasja është zhvendosur në Facebook-un e Gazment Bardhit. Demokrati shkruan se është e vërtetë që Ndreca është nën hetim për shkak të një kallëzimi që ka bërë Kontrolli i Lartë i Shtetit, duke e akuzuar për shkelje të barazisë në tendera, të kryer në bashkëpunim, me abuzim miliona euro për rikonstruksionin e disa godinave të Komisariateve (Komisariatet nr.4 Tiranë, Vlorë, Mirditë dhe Pogradec). Madje pretendimet e tij i ka shoqëruar edhe me dokumente. 

"Ndryshe nga balta që ai hedh me gënjeshtra ndaj kujtdo që i thotë të vërtetën në sy, që ai është një shkelës recidivist i ligjit, për Plarent Ndrecën qartësisht sipas dokumenteve zyrtare, SPAK ka dalë në konkluzionin që si Sekretar i Përgjithshëm i Ministrisë së Brendshme, ai ka shkelur ligjin duke paracaktuar kompaninë fituese dhe rritur fiktivisht vlerat e prokurimit, duke sjellë dëm të rëndë financiar për Buxhetin e Shtetit,"-shkruan Bardhi ndër të tjera.

Por për pretendimet e këtij të fundit, ende nuk ka asnjë sqarim nga socialisti./ZËRI

Poll

MOS HUMB