
LEZHË- Tenderi për karburantin e automjeteve të Bashkisë së Lezhës ka ngjallur debate në mbledhjen e Këshillit Bashkiak. Këshilltarja e Partisë Demokratike, Alfrida Marku akuzoi kryebashkiakun socialist të Lezhës, Pjerin Ndreu për favorizim, duke theksuar se të dy tenderat janë konsideruar me flamuj të kuq.
“Më 19 Prill ju keni ezauruar dy procedura prokurorimesh, me vlere 620 mln lek (të vjetra), dy procedura tenderash për të cilat ka dyshime të arsyshme se ka abuzime. Këto tendera janë me flamur të kuq,”- tha Marku në fjalën e saj.
Si kundërpërgjigje, i nervozuar, kryebashkiaku i kërkoi këshilltares së djathtë të mos e kthejë çështjen në një debat politik. E po ashtu, e këshilloi se nëse ka pretendime se ka abuzim, t'i drejtohet Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar me një kallëzim.
“Nëse ke dyshime shko tek SPAK-u, mos na bëj politike këtu. S’ke asnjë të drejtë të hedhësh aludime në këshill,”-iu përgjigj Ndreu sipas "ReportTv". Të dy patën debate edhe për çështje të infrastrukturës. Marku akuzoi Ndreun se nuk ka parashikuar asnjë projekt për asfaltimin e rrugëve të 6 njësive vendore, Blinisht, Ungrejt, Shëngjin, Dajç, Balldre dhe disa zona të Lezhës.
Por edhe për këtë e mori një përgjigje. Sipas Ndreut, për një muaj do të nisë projekti për Ujësjellësin e qytetit, ndaj nuk mund të ketë ndërhyrje për shtrimin e rrugëve.
“Pas një muaji fillon puna për ujësjellësin në qytet, pasi është shpallur fituesi. Si mund të shtrojmë rrugë, por do hapen kanale për shtrimin e tubave të ujësjellësit?! Kaq llogjikë e ka dhe një fëmijë kopshti, por ty të ka turbulluar politika! Do bëhet njëherë ujësjellësi e kanalizimet e pastaj rrugët,”- u përgjigj Pjerin Ndreu.
Pas debateve që kishin të dy, mbetet për t'u parë nëse Marku do të ndjekë "këshillën" e kryebashkiakut për të denoncuar në SPAK, ato që ajo i konsideron si favorizime apo abuzime me paratë e taksapaguesëve./ZËRI