
TIRANË- Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja është përfshirë në një debat në Kuvendin e Shqipërisë me deputetin, tashmë të pavarur, Agron Shehaj. Ky i fundit, në fjalën e tij, pretendoi se ministri Manja ka gënjyer publikisht duke thënë se me amnistinë penale nuk do të liroheshin zyrtarë të korruptuar. Por sipas Shehajt, kjo ka ndodhur me plot 40 zyrtarë. Në këtë moment nisi edhe debati mes tyre, ku Shehaj pretendoi se Manja i tha nga vendi i tij “t’i pres veshët”. Por ky moment nuk u kap nga kamerat e Kuvendit.
Pas Shehajt, e merr fjalën Manja, i cili e akuzon si person që sponsorizon shkrime për vende jo mike të Shqipërisë. Por nuk jep detaje se për çfarë e ka fjalën.
DEBATI ME VIDEO:
Ulsi Manja: Hajdut, ec ore andej, legen! Si?
Agron Shehaj: Jep dorëheqjen, jep dorëheqjen! Erdhe këtu dhe gënjeve, mashtrues. S'të vjen mirë ë? Të pëlqen heshtja, nuk të pëlqen kur njerëzit ta plasin në fytyrë. Do mi shkulësh veshët mua ti?
Ulsi Manja: Tani që amnistia mori 116 vota vjen këtu dhe na del si kalorësi i ndërshmërisë, kur në fakt ky shtet duhet të merret me ty se je evazori më i madh në këtë vend. Sponsorizon portale dhe shkrime që çojnë ujë në mullirin e shteteve dashakeqe të Shqipërisë. Nuk do të jetë e largët kur fytyra prej ëngjëlli dhe kalorësi të madh të drejtësisë të dalë ashtu siç është në të vërtetë./ZËRI