TIRANË- Deputeti i Partisë Socialiste, Erion Braçe ka folur për garën gjatë zgjedhjeve parlamentare të 11 majit. Në një intervistë të dhënë për "Kjo Javë", Braçe tha se gjatë fushatës ka humbur edhe miq, duke nënkuptuar edhe kolegë. Por ka zgjedhur që të mos përmendë emra dhe arsyet e zhgënjimeve që ka pësuar gjatë muajit të fushatës. Por në prononcimin e tij, ka renditur edhe disa këshilla për Partinë Socialiste dhe socialistët që kanë fituar mandat. Sipas tij, dashje pa dashje pas fitores bëhesh arrogant, ndaj edhe u shpreh se Partia Socialiste duhet të ndryshojë veten në katër vitet e ardhshme qeverisje.
"Nga unë i pari, deri ata që janë në krye, nganjëherë kemi qasje arrogante, ju del natyrshëm, edhe pse mundohemi të përmbahemi. Pas 12 viteve në pushtet patjetër që është e domosdoshme të ndryshosh veten. Jo thjesht dhe vetëm si individë, sepse mund të ndryshosh deputetët apo drejtuesit e partisë në nivel qendror e lokal, mund të ndryshosh kryetarët e bashkive, gjithashtu edhe ministrat, por nuk ndryshon qasjen në raport me njerëzit. Ajo që duhet të ndryshojë është qasja. Arroganca duhet të shkojë në zero dhe përkushtimi duhet të shkojë në 100%,"-tha Braçe.
Braçe po ashtu, zbuloi mesazhin që kishte marrë nga kryeministri Edi Rama pasi fitoi mandatin e deputetit.
PJESË NGA INTERVISTA:
Ju si pozitë dhe PS, e patët më të lehtë për të fituar?
Erion Braçe: Problemi ynë nuk është opozita, jemi ne vetë. Nëse ne nuk korrigjohemi dhe nuk kemi një qasje të përulur, jo arrogante, në raport me njerëzit, sepse në disa raste jemi arrogantë, nuk mund të përmirësohemi. Nga unë i pari, deri ata që janë në krye, nganjëherë kemi qasje arrogante, ju del natyrshëm, edhe pse mundohemi të përmbahemi. Por nuk është ky thelbi i qeverisjes. Mendoj se qeverisja ka qenë bashkëpunuese dhe e përkushtuar e kështu me radhë, siç ka edhe të meta, që patjetër duhen korrigjuar, duhen të jetë thuajse zero në këtë mandat. Ky mandat, që është marrë me kaq shumë vota, duhet të shërbejë që të jemi gjithnjë e më shumë të përulur, në punë dhe të përkushtuar përballë problematikave, qoftë edhe një njeriu të vetëm. Mbi të gjitha, ky mandat duhet të shërbejë për të dëgjuar shumë e për të vepruar akoma edhe më shumë në raport me njerëzit.
Çfarë duhet të ndryshojë PS?
Erion Braçe: Veten. Pas 12 viteve në pushtet patjetër që është e domosdoshme të ndryshosh veten. Jo thjesht dhe vetëm si individë, sepse mund të ndryshosh deputetët apo drejtuesit e partisë në nivel qendror e lokal, mund të ndryshosh kryetarët e bashkive, gjithashtu edhe ministrat, por nuk ndryshon qasjen në raport me njerëzit. Ajo që duhet të ndryshojë është qasja. Arroganca duhet të shkojë në zero dhe përkushtimi duhet të shkojë në 100%.
Çfarë ka bërë keq deri tani Partia Socialiste?
Erion Braçe: Do thoja vetëm çfarë duhet të bëhet më mirë. Lufta kundër korrupsionit duhet bërë akoma më mirë. Është thelbësore që qytetarit i mungojnë shërbime publike dhe të mira, ajo që nuk meritojnë është korrupsioni. Kemi bërë një hap të madh dhe kemi lënë drejtim të veprojë drejtësinë, kemi hequr çdo lloj mburoje politike për çdo anëtar të PS në secilin nivel të qeverisjes dhe i kemi lënë të përballen drejtpërdrejt me drejtësinë nëse kanë një akuzë penale. Kjo është një qasje që më herët nuk ka ekzistuar në Shqipëri. Është një gjë positive që po ndodh në këtë vend. Ama, kjo është vetëm drejtësia penale, ajo që neve na intereson është drejtësia sociale, që buron në mënyrë të drejtpërdrejtë nga mënyra se si ti e ushtron pushtetin.
Nuk e ndjetë garën mes kolegësh?
Erjon Braçe: Patjetër që sfidën e ndjeva, por meraku më i madh ishte mos humbja e miqve në këtë histori. Nga Divjaka në Tiranë kam humbur miq. Nuk ka triumf në politikë, mund ta fitosh një garë, por pas një jave mund të humbësh popullaritetin. Nuk ka triumfator në politikë. Ke bërë një garë, ke marrë një kontratë pune dhe shkon në punë. Pra, unë nuk e kam problem garën, edhe brenda partisë. Të promovosh veten, është një gjë krejt legjitime, por që të shash tjetrin, sidomos brenda një partisë, nuk është normale. Prandaj unë këtë sistem nuk e dua edhe për këtë arsye.
Keni patur zhgënjimet e tua lidhur me këtë?
Erjon Braçe: Patjetër që kam pasur. E thashë, përderisa kam humbur miq. Nuk kanë rëndësi emrat. Kjo është e imja, është personale. Patjetër që ndikoi në fushatë sepse të destabilizon. Të vijnë fjalë të tipit: çfarë do me atë, ai nuk zgjidhet deputet, atë nuk e do Rama, nuk i merr dot votat. Kemi qenë aty, kemi luftuar bashkë, i kemi dalë në krah njëri-tjetrit, për çfarë e bën, për një vend deputeti?
Patët komunikim me Kryeministrin?
Erjon Braçe: Po, komunikimi ka qenë vetëm për punën. Normalisht ky ka qenë shqetësimi. I dyti është pikërisht atë që thashë: nuk jam mësuar të kacafytem me njerëzit. Ka bërë edhe ai ndërhyrjen e vet, siç janë bërë edhe publike. Mora një urim për fitoren, sipas stilit të tij, kuptohet: Hajde urime, se na çmende! Unë nuk ndihem fitues se jam unë, por ndihem fitues se është PS-ja./ZËRI