
TIRANË- Kryedemokrati Sali Berisha ka komentuar vendimin e marrë një ditë më parë në KAS ku katër kandidatët e Partisë Demokratike që kërkuan rinumërimin e votave të tyre, u rrëzuan. Madje përfaqësuesit e Partisë Demokratike bashkuan votat me ata të Partisë Socialiste për ta marrë një vendim të tillë. Berisha tha se katër kandidatët, Ilir Alimehmeti, Mimoza Hajdarmataj, Lisandër Hoxha dhe Ilirjana Kuçana janë keqkuptuar. Sipas kryedemokratit, kandidatët duhet t’i paraqesin ato që kanë paraqitur në KAS, pranë përfaqësuesve të PD-së në KQZ, që përfaqësuesit për qarqet që kanë marrë vendime për vlefshmëri apo pavlefshmëri, të procedojnë me shqetësimet e tyre.
Pjesë nga fjala e Berishës:
Deklaratat e mia publike kanë qenë dhe janë që partia do i mbështesë. Në qoftë se partia tjetër nuk i lejoi, siç e dini, e kundërta është qëndrimi ynë. Ne mbështesim cilindo që kërkon transparencë dhe gjen argumente.
Kjo është. Aty ka pasur vetëm një keqkuptim nga ana e tyre. Ata nuk duhet të humbasin kohën, t’i paraqesin ato që kanë paraqitur në KAS, pranë përfaqësuesve tanë në KQZ, që përfaqësuesit tanë për qarqet që kanë marrë vendime për vlefshmëri apo pavlefshmëri, të procedojnë me shqetësimet e tyre.
Anëtarët e KAS vendosën se katër kandidatët, Ilir Alimehmeti, Mimoza Hajdarmataj, Lisandër Hoxha dhe Ilirjana Kuçana, nuk mund të legjitimohen si palë ankuese për kërkesat për rinumërimin e votave të tyre. Vetëm përfaqësuesi Ilir Rusmali votoi pro, që kandidatët të kishin të drejtën për të kërkuar rinumërimin e votave të tyre. Ndërsa përfaqësuesit Koli Bele e Elvin Lako nga PS dhe Ledio Braho e Elvis Çefa nga PD ishin kundër. Ata argumentuan se sipas Kodit Zgjedhor ankimin mund ta bëjë vetëm subjekti politik dhe jo kandidati.