
TIRANË- Kryeministri Edi Rama ka folur këtë të hënë në lidhje me ish-ministrat apo ish-bashkëpunëtorët e tij, të cilët janë sot pas hekurave apo nën akuzë nga Prokuroria e Posaçme. Sipas tij, secili mban përgjegjësi për veten, ndërsa shton se problemet e tyre me drejtësinë kanë filluar pas ikjes nga qeveria. Deklaratën Rama e bëri i ftuar në “Real Story. Po ashtu shtoi se ai ka bërë disa herë ndryshime në qeveri ndërsa u ka dhënë mesazhe të qarta të gjithëve.
Edi Rama: Po një minutë, se ky është një proces 10 vjeçar dhe këtu bëhet fjalë, se nuk dua fare t’i përmend ata njerëz sepse janë në hallet e tyre, dhe kanë mbaruar punë me mua dhe politikën dhe publikun, por bëhet fjalë për një numërim të caktuar që fillon ditën e parë, një. E dyta, pjesa më e madhe ose mos të tërë, kur kanë filluar të kenë probleme me drejtësinë, kanë qenë të larguar nga qeveria. Pra, kur më thua çfarë duhet të bëjmë ne, çfarë duhet të bëjmë ne faktikisht? Mos t’i hyjmë këtij diskutimi se çfarë thotë njëri e çfarë thotë tjetri, se po flasim bashkë këtu. Unë personalisht di që ne e para e punës, kur vjen puna për qeverinë, unë jam shumë i vëmendshëm dhe kam bërë ndryshime të vazhdueshme në qeveri, iu kam dhënë mesazhet e mia shumë të qarta të gjithëve. Kam dhënë mesazhe të qarta edhe me lëvizjet e qeverisë, edhe me veprimet të tjera që jo gjithmonë kanë qenë të lidhura me çështje që kanë patur të bëjnë me shqetësime të kësaj natyre dhe nga ana tjetër kemi vijuar të bëjmë reformim dhe ristrukturim dhe për këtë flasin shifrat./ZËRI