
TIRANË- Mungesa e përkthyesve për gjuhë të rralla si koreane, tajlandeze, lituaneze apo irlandeze ka detyruar Ministrinë e Drejtësisë të propozojë disa ndryshime në ligjin për “Profesionin e Përkthyesit Zyrtar”. Në ndryshimet e paraqitura në Komisonin e Arsimit nga zëvendësministri i Drejtësisë Klajdi Karameto, thuhet se në rast se kemi të bëjnë me mungëse përkthyesish atëherë, në shërbim të individëve që kanë nevojë për përkthyes gjatë proceseve gjyqësore dhe jo vetëm, të asistojnë stafet e misioneve diplomatike që janë të akredituar në vendin tonë.
Klajdi Karameto: Përmes këtyre zgjidhjeve synohet që të garantohet e drejta kushtetuese për të komunikuar në gjuhën që kupton, e çdo personi që nuk di gjuhën shqipe, që gjatë hetimit të një çështjeje penale, si dhe gjatë zhvillimit të proceseve gjyqësore civile, penale ose administrative, sipas parashikimeve të legjislacionit procedural në fuqi ose gjatë shqyrtimit të çështjeve nga Gjykata Kushtetuese. Kur mungojnë përkthyes zyrtarë, ata të mund të kërkojnë ndihmën e misioneve diplomatike ose posteve konsullore, organizatave ndërkombëtare që ushtrojnë veprimtarinë në Republikën e Shqipërisë ose institucioneve të Bashkimit Evropian, ose autoriteteve të tjera të huaja.
Po ashtu gjatë fjalës së tij, zëvendësministri sqaroi se në rastet kurdo të ketë bashkëpunim me stafet diplomatike, ata do të paguhen sikur të ishin në vendin e tyre.
Klajdi Karameto: Tarifat e përkthimit të përcaktuara me udhëzim të përbashkët të ministrit dhe të ministrit përgjegjës për financat. Tarifat e përkthimit që zbatohen në shtetin përkatës, nga organizata ndërkombëtare ose autoritetet e tjera të huaja, dhe kostot për kryerjen e përkthimit./ZËRI