LUKSEMBURG- Ministri i Shtetit për Çështjet Europiane dhe Mbrojtjen i Irlandës Thomas Byrne ka shprehur mbështetjen për procesin e integrimit europian të Shqipërisë, duke theksuar rëndësinë e vijimit të reformave për avancimin e negociatave me Bashkimin Europian.
Gjatë konferencës së përbashkët për shtyp në Luksemburg me kryeministrin Edi Rama dhe komisioneren europiane për Zgjerimin Marta Kos Byrne inkurajoi qeverinë shqiptare të vijojë me reformat duke i cilësuar ato si një instrument të rëndësishëm për transformimin e institucioneve ekonomisë dhe shoqërisë.
“Inkurajoj kryeministrin Edi Rama që të vazhdojë reformat. Zbatimi i reformave u jep mundësi vendeve të transformojnë institucionet, ekonominë dhe shoqërinë e tyre”, tha Byrne.
Ministri irlandez theksoi gjithashtu se vendi i Shqipërisë është në Bashkimin Europian, ndërsa shprehu dëshirën që negociatat të vijojnë me mbylljen e kapitujve të tjerë.
“Dua të mbyllim kapituj të tjerë me Shqipërinë, sepse e ardhmja juaj është në BE”, u shpreh ai.
Deklaratat e Byrne vijnë në kuadër të procesit të negociatave të Shqipërisë me Bashkimin Europian, ku vijimi i reformave dhe përmbushja e angazhimeve të ndërmarra mbeten elemente kyçe për avancimin drejt anëtarësimit./ZËRI