
BRUKSEL- Kryeministri Edi Rama do të kryesojë delegacionin shqiptar, në konferencën e tretë ndërqeveritare me Bashkimin Europian, e cila pritet të mbahet në Bruksel të martën (17 Dhjetor). Takimi do të shërbejë për hapjen e negociatave me Shqipërinë për grupkapitullin e 6-të që përfshin Marrëdhëniet e jashtme, duke përfshirë kapitujt e mëposhtëm negociues:
Kapitulli 30 – Marrëdhëniet e jashtme
Kapitulli 31 – Politika e jashtme, e sigurisë dhe e mbrojtjes
Pas prezantimit të metodologjisë së rishikuar për negociatat e anëtarësimit në vitin 2020, kapitujt negociues ndahen në gjashtë grupime tematike: Bazat; Tregu i brendshëm; Konkurrueshmëria dhe rritja gjithëpërfshirëse; Axhenda e gjelbër dhe lidhje e qëndrueshme; Burimet, bujqësia dhe kohezioni; dhe marrëdhëniet e jashtme.
Takimi i dytë i Konferencës së Aderimit mes Bashkimit Evropian dhe Shqipërisë në nivel ministror u zhvillua të martën e 15 tetorit në Luksemburg, duke shënuar përparim në përpjekjen e saj të gjatë për t’u bashkuar me bllokun prej 27 vendesh.
Shqipëria hapi Klasterin 1, të përbërë nga pesë kapituj negociues, me Bashkimin Evropian në konferencën e saj të dytë ndërqeveritare. Në këtë mënyrë, u bë vendi i tretë kandidat i Ballkanit Perëndimor, pas Malit të Zi dhe Serbisë, i cili hapi kapitujt e negociatave. Shqipëria hapi zyrtarisht bisedimet e pranimit së bashku me Maqedoninë e Veriut në korrik të vitit 2022.