TIRANË- Kryeministri Edi Rama në fjalën e tij në Kongresin Zgjedhor të PS foli edhe për eksponentët e Partisë Socialiste, që janë të lidhur me korrupsionin. Rama i tregoi atyre, se derën e kanë te SPAK, duke dhënë llogari. Në fjalën e tij Rama sugjeroi që, kush ka fakte dhe prova ka një adresë tek SPAK. Antikorrupsioni sipas kreut të qeverisë është lufta më e madhe e Shqipërisë dhe sa i përket, figurave politike që janë nën hetim nga SPAK, Rama u shpreh se ligji është i barabartë për të gjithë.
Edi Rama: Di të them vetëm një gjë, lufta anti-korrupsion me denoncime të përditshme dhe me baltë të përditnatshme që na bëhet nga i ziu dhe i bardhi dhe gjithë cirku i tyre që turren tek Bashkia e Tiranës si tek torta e pavarësisë...me minj që dalin nga vrima, apo me qime prapanicash, që bëjnë si lajmëtarët e qametit, nuk pi ujë me shqiptarët. Ne e kemi ndarë mendjen. Nuk e ka pasur Shqipëria kurrë një sistem drejtësie të tillë, kjo është ti hysh detit në këmbë dhe të largosh duart e pushtetit. Ky është vullnet shtetbërës i PS. Ka një arsye që nga lindja e PS dhe më tej, më tregoni një moment kur PS ka mbajtur anën e gabuar në raport me interesin kombëtar. Edhe për Kosovën na doli PS që mbështeti me të gjitha mjetet pavarësinë e Kosovës. Ne jemi këtu për të bërë ligjet. Ne jemi për të qeverisur sa më mirë. Nuk jemi për t'u ruajtur nga hijet. Kush ka fakte dhe prova ka një adresë tek SPAK. Edhe pse ia qaj hallin se është bërë si ato kutitë postare të letrave anonime. Kush ka llogari për të dhënë e ka adresën tek SPAK. Kush nuk ka mizë nën kësulë, të shkojë të japë shpjegime dhe të vazhdojë punën. Do mësohen edhe ata që rrijnë atje me kamera dhe rrinë sikur po parakalojnë miset. Do mësohen se është pjesë e sistemit. Të tjerat janë dokrra hini. Shqiptarët i kanë qejf për muhabet, por nuk i hanë për fruta të thata. Kush rri e numëron ish-ministri; sikur po numëron dëshmorë, sikur s'kemi të tjerë, unë i them që të shkojnë të gjejnë derman tek një hoxhë për syrin. I keni parë se kanë bërë edhe një listë...siç ka qenë dikur "Yjet e pashuar". Dikur bëhej edhe një kronikë në radio. Edhe këta, yje të pashuar çdo natë. Ne jemi 800 mijë. Kjo nuk është lojë, është ndarje e madhe e një shapi të vjetër nga sheqeri. Kjo është lufta më e madhe për shtetin e shqiptarëve. Për herë të parë mund t'i thotë shqiptari vetes që kam shtet. Ligji është i barabartë për të gjithë.
PJESË NGA FJALA E PLOTË E RAMËS:
Lufta antikorrupsion me denoncime të përditshme e me baltë të përnatshme, që na bëhet nga i ziu, nga i bardhi dhe nga gjithë cirku i tyre me klounë e arusha që turren tek bashkia e Tiranës si tek torta e pavarësisë dhe në vend të tortës kafshojnë murin, me minj që dalin nga vrima si tigra syshqyer, nga presioni që i bën në stomak kaçkavalli i mykur, apo me qime prapanicash, të më falë prapanica për shprehjen, që bëjnë si lajmëtarët e kiametit, nuk pi ujë me shqiptarët. Zero! Ne e kemi ndarë mendjen. Lavdi zotit dhe popullit shqiptar, na u dha mundësia që mendjen e ndarë përpara se të kishim gjërat në dorë, të kishim në dorë që ta vinim në jetë dhe ti hynim detit në këmbë për të bërë atë që në Shqipëri nuk ka ndodhur kurrë. Nuk e ka pasur Shqipëria kurrë një sistem drejtësie që nga 1912 të pavarur nga pushteti politik dhe të aftë për të thirrur për shpjegim apo për të vënë nën hetime, apo për të ngritur akuza për personat lidhur me pushtetin politik. Nuk e ka pasur.
Kjo është ti hysh detit në këmbë. Kjo është ti shkosh me kokë, por jo si ata tek muret e bashkisë, por drejt të ardhmes me të gjithë fuqinë e dëshirës e të vullnetit për ta ndryshuar këtë vend realisht dhe të largosh duart, të largosh duart e pushtetit duke krijuar ti një grykë zjarri që mund të të godasë edhe ty. Ky është vullnet shtet bërës, kjo nuk është poezi, nuk është as artikull, nuk është as slogan. Ky është vullneti shtetbërës i Partisë Socialiste të Shqipërisë.
Ka një arsye, kthehuni në kohë, që nga dita e lindjes së Partisë Socialiste këtu në këtë sallë e deri më sot dhe më tregoni një moment përtej të gjitha luhatjeve, gabimeve, dështimeve, çfarë të doni, kur Partia Socialiste ka mbajtur anën e gabuar në raport me interesin kombëtar. Një!
E po ju sjell vetëm shembullin kur tjetër kush ulërinte e i binte daulles së patriotizmit për Kosovën, por ja që na doli Partia Socialiste që mbështeti me të gjitha mjetet pavarësinë e Kosovës dhe është shumë e thjeshtë. Ne jemi këtu për të bërë ligjet një herë. Ne jemi këtu për të qeverisur sa më mirë. Ne jemi këtu për të bërë punë të mira. Ne jemi këtu për të qeverisur sa më mirë. Ne nuk jemi këtu për tu ruajtur nga hija e nga hijet. Kush ka fakte e prova për korrupsion, ka një adresë; tek SPAK. Edhe pse ia qaj hallin SPAK-ut se është bërë si ato kutitë postare të letrave anonime, është turrur gjithë mileti e bëjnë denoncime, por kjo është temë tjetër. Kush ka këtu në këtë parti llogari për të dhënë, për korrupsion, e ka adresën tek SPAK-u. Kush nuk ka mizë nën kësulë dhe e thërrasin në atë adresë për të dhënë shpjegime, të shkojë, të japë shpjegime e të vazhdojë punën. Duhet të mësohemi dhe me këtë.
Do mësohen dhe ata që rrinë atje me kamera sikur po vijnë miss-et e po parakalojnë e do kuptohet që kjo është pjesë e sistemit. Të thirresh, të japësh shpjegime. Të tjerat, thoshte i bekuar at Gjergj Fishta, janë dokrra hini dhe shqiptarët Dokrrat e hinit i kanë qejf për muhabet por nuk i hanë për fruta të thata dhe lavdi Zotit dhe lavdi shqiptarëve që janë angazhuar në këtë parti apo që e mbështesin këtë parti, ne nuk jemi dhe as një dhe dy, s’jemi as 1000 e 2000, jemi 800 mijë njerëz.
800 mijë njerëz që duan ta bëjnë Shqipërinë, duan të bëhet Shqipëria plus dhe ata që tani do të votojnë nga emigracioni, ne duhet të synojmë 1 milionë. Kështu që, kush rri e numëron; ish ministri, e thirrën e bën, sikur numëron dëshmor edhe sikur po na mbyll rrugët se s’po kemi të tjerë, s’po kemi forca se na iku njeri, na ikën dy, na ikën tre. Unë them të shkojnë të bëjnë derman për syrin tek një hoxhë apo tek një prift se ne nuk i bëjmë dot derman, të shkojnë atje. E kanë bërë këtë punën e emrave, e keni parë nxjerrin lista siç kanë qenë dikur yjet e pashuar, dikur bëhej dhe një kronikë në radio në mos gaboj “Yje të pashuar” gjysmë ore dëgjoje pushkët, para partizan, në fund fare vritej njëri, binte dëshmor edhe këta yje të pa shuar çdo natë. Merreni, merreni. Ne jemi 800 mijë! Dhe kjo nuk është lojë, kjo është një ndarje e madhe e një shapi të vjetër nga sheqeri kur thotë populli dhe kush e ka kujtuar se kjo është një dava ‘hajde se do kapen ca njerëz, do bëhet një lloj loje, pastaj do vihet kapaku, nuk ka idenë fare se çfarë është kjo, nuk e ka idenë, nuk e ka idenë fare se kjo është lufta më e madhe për shtetin e shqiptarëve. Më e madhja që për herë të parë mund ti thotë shqiptari vetes: që unë kam shtet kur është përfundimisht e qartë që ligji është i barabartë me të gjithë, je ministër, s’je ministër, je andej s’je këtej, ke qenë s’ke qenë, i ke futur duart nëpër xhepa këtij populli do shkosh të japësh llogari për xhepat. Nuk ka asnjë rëndësi fare si c ‘është kur thonë: paraja s’ka ngjyrë epo dhe hajduti nuk ka ngjyrë. Njësoj janë. Prandaj atyre të shumtëve që na duan të mirën dua t’ju them se ne jemi këtu të bëjmë të pamundurën çdo ditë që ta bëjmë këtë vend krenarinë e çdo shqiptari jo vetëm për bukuritë, historitë, për trashëgiminë kulturore, për malet dhe për detet por edhe për shtëpinë e përbashkët të shtetit shqiptar. Ndërkohë që kujt na do të keqen, i them vetëm kaq: i kanë hapur vetes një punë shumë të sikletshme sepse që të na duash ne të keqen duhet të na dalësh përpara. Kur të na dalësh përpara duhet të llogarisësh që je i mundur, i mundur!
Edhe i mundur jo me dhunë dhe me shembullin e forcës, por me forcën e shembullit dhe me panumërsinë e provave dhe fakteve që këtë vend o e bën PS o se bën askush tjetër dhe që patjetër ne e dimë vet që s’jemi më të mirët por më të mirë se Partia Socialiste këtu në këtë vend harroje se gjen. Harroje se gjen!/ZËRI