
TIRANË- Amnistia penale ka përplasur deputetët e Partisë Socialiste dhe asaj të opozitës, me Lulzim Bashën që e ka quajtur pazar mes Rithemelimit dhe PS-së.
Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja, iu përgjigj akuzave të Lulzim Bashës, se nga amnistia do të përfitojnë dhe subjekte të GJKKO-së, gjë që sipas socialistëve nuk është e vërtetë.
Manja ironizoi duke thënë se Lulzim Basha “i ka thënë lamtumirë është zanatit të juristit”, teksa shtoi “mos e merrni serozisht”.
“Me këtë që tha Basha i ka thënë lamtumirë është zanatit të juristit. Më vjen keq po këtë kam, mirë që nuk e ka lexuar ligjin por e lexon edhe nga e prapa. Tani paska i thënë mirupafshim këtij zanati, tani as vetë ai nuk e di çfarë është politikan, jurist. Mos e merrni seriozisht. Të dalësh dhe të thuash që përfitojnë të dënuarit nga GJKKO, kur është e shkruar e zeza mbi të bardhë, duhet të jemi serioz. Gjithçka ka limit”, iu drejtua Manja.
Më herët Basha tha se amnistia po kalohet me nxitim, në kurriz të interesit publik.
“Amnistia nuk ka qenë në rendin e ditës, doni ta fusni sot pa e futur në Komisioni e Ligjeve.
Na ftoni që çfarë kemi ta themi në sallë, pse? Sepse nuk doni që qytetarët të kenë mundësinë të njihjen me një Amnisti që shpërblen zyrtarët të korruptuar dhe zyrtarë të dënuar nga GJKKO dhe ndëshkon opozitarë dhe protestues të tjerë.
Kategoritë që përfitojnë janë zyrtarë të dënuar apo hetuar për korrupsion. Është Pazar i qartë, përjashtohen protestuesit e opozitës. Ky është një pazar i ulët anti-SPAK”, u shpreh Basha.
/ZËRI