
TIRANË- Ndeshja që mezi po e presin tifozat kuq e zi do të hapet me këngën legjendare: Mora fjalë! Artistja e njohur shqiptare, Shkurte Fejza do ngrejë ‘peshë’ sonte tifozat kuqezi me performacën e saj live në stadiumin ‘Air Albania’.
Kjo është një befasi e madhe për të gjithë ata që arritën të siguronin bileta për këtë lojë vendimtare të Kombëtares Shqiptare kundër Çekisë, por edhe shikuesit nga ekrani, të cilët do dëgjojnë ‘himnin’ e preferuar. Me siguri, kjo performancë do memorizohet nga tifozët përmes telefonave të tyre, e më pas pamjet do bëhen virale në rrjetet sociale.
‘Mora fjalë’, kënga legjendare për heroin e Kosovës, Adem Jasharin, është nga ata këngë e ata vargje që nuk do ta shijojnë kurrë vdekjen pasi do të jetojnë gjithmonë në frymën e çdo shqiptari. Naim Gjoshi i dha jetë këtyre vargjeve ndërsa Shkurte Fejza e bëri ‘himn’ anembanë diasporës me zërin e saj ikonik.
Kujtojmë që ndeshja Shqipëri-Çeki luhet mbrëmjen e sotme në orën 20:45 në stadiumin “Air Albania”./Zëri.ai