
TIRANË-Prokuroria e Posaçme SPAK ka nisur hetimet për tenderin për pajisjet elektronike të votimit në KQZ për zgjedhjet në vendin tonë. SPAK kërkoi dokumentacionin e plotë të praktikës së procedurës të prokurimit lidhur me pajisjet për identifikimin elektronik të votuesve dhe verifikim e tyre paszgjedhor, dokument i cili u dorëzua brenda afatit të lënë nga Prokuroria.
Por idhur me hetimin që po u bëhet tenderëve 21 milionë USD në KQZ, për pajisjet e identifikimit biometrik dhe votimit e numërimit elektronik, të miratuar nga krye komisioneri Ilirjan Celibashi, është skeduar dhe fakti që dokumentet paraprake, i ka përgatitur asistentja e tij, Ejona Mediu.
Por Ejona Mediu nuk është vetëm asistente e Celibashisht, por edhe e afërmja e tij. Ejona Mediu është vajza e vëllait të gruas së tij, me detyrë Asistente, funksion konfidencial që ka për detyrë të hartojë, administrojë dhe çojë për zbatim në sektorët e tjerë të KQZ-së, çdo urdhër, procedurë e vendim të drejtuesit Ilirjan Celibashi. Pamfleti shkruan se sipas Regjistrit të Gjendjes Civile, rezulton se Shpëtim Mediu është vëllai i deputetit Fatmir Media, dhe të dy janë kunetërit e Krye-komisionerit të KQZ, Ilirjan Celibashi, bashkëshort i noteres Ardjana Mediu. Pra hetimi ka zbuluar nepotizëm brenda KQZ, ku Celibashi ka punësuar mbesën e gruas si asistente të tij.
Sipas dosjes së saj personale dhe Regjistrit të Gjendjes Civile, rezulton se Ejona Mediu, Asistentja e Krye- komisionerit të KQZ, Ilirjan Celibashi, është vajza e Shpëtim Ali Mediut, ortak me të bijën në kompaninë “Prosperues Sh.p.k”, me objekt agjenci udhëtimi, shitje biletash transporti ajror, detar e tokësor, paketa udhëtimesh e dhënie makinash me qira. Ejona Mediu rezulton me 40% të aksioneve.
Sipas ligjit dhe strukturës, pozicioni i punës “Asistente” në Kabinetin e Krye-komisionerit të KQZ, duhet të jetë e pajisur me Status të Nëpunësit Civil, por drejtuesi Ilirjan Celibashi e ka emëruar vajzën e vëllait të gruas pa pasur Statusin e Nëpunësit Civil.
Hetimi i pajisjeve elektronike
Bëhet fjalë për firmën Smartmatic International Holding B.V. me vlerë të ofruar prej rreth 1.2 miliardë lekësh të vjetra me TVSH.
Tenderi është hapur më 24 dhjetor 2020 dhe procedura e shpalljes ka qenë me negocim. Më 18 janar 2021 është bërë publikimi. KQZ e ka shpallur tenderin me fond limit: 2,112,304,484 lekë të reja pa TVSH. Ai u fitua nga kompania “Smartmatic International Holding B.V”. me seli në Holandë. Ajo që bie në sy është se vlera fituese e kompanisë me bazë në Holandë është 2,016,354,628 lekë të reja pa TVSH.
Tenderi i dytë ka të bëjë me blerjen e pajisjeve elektronike të votimit, për eksperimentimin e votimi elektronik në zgjedhjet e 2021, në 32 qendrat e votimit të njësisë administrative numër 10 në Tiranë. Fondi limit ishte 109.999.500, ndërsa kompania fituese ka ofruar 99.424.460 lekë./ZËRI