Politikë

Hetimi i krimeve zgjedhore! Ambasadorët britanikë takim me Dumanin, Çelën dhe Celibashin

Takimi u organizua nga Ambasada Britanike në Tiranë

F.I
Hetimi i krimeve zgjedhore! Ambasadorët britanikë takim me Dumanin,
Altin Dumani, Olsian Çela dhe Ilirjan Celibashi

TIRANË-Strategjia e re për hetimin dhe parandalimin e krimeve zgjedhore për 11 Majin është gati dhe krerët e SPAK, Prokurorisë së Përgjithshme e KQZ-së kanë zhvilluar një takim me ambasadorët britanikë. Takimi u organizua nga Ambasada Britanike në Tiranë, ku kreu i SPAK, Altin Dumani, Prokurori i Përgjithshëm Olsian Çela dhe kreu i Komisionerit Publik të Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi informuan ambasadorët mbi qasjet kolektive dhe individuale të institucioneve për hetimin e shkeljeve zgjedhore në mjedisin aktual operativ.

Marrëveshja e re ndërmjet Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Prokurorisë së Përgjithshme dhe Strukturës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar u mirëprit nga komuniteti ndërkombëtar si një hap i rëndësishëm për sigurimin e qartësisë së qëllimeve për secilin institucion. Ambasada Britanike shprehu mbështetje për angazhimin e Shqipërisë në sigurimin e zgjedhjeve të 11 majit, duke theksuar nevojën për të qenë transparente, të drejta dhe të sigurta.

Njoftimi i Ambasadës Britanike:

Ambasada Britanike ftoi Kryeprokurorin Special, Prokurorin e Përgjithshëm dhe Komisionerin Publik të Zgjedhjeve për të informuar ambasadorët mbi strategjinë për hetimin dhe parandalimin e krimeve zgjedhore, e cila është publikuar në vitin 2025. Sesioni informues mbuloi qasjet kolektive dhe individuale të institucioneve për hetimin e shkeljeve zgjedhore në mjedisin aktual operativ, duke përfshirë strategjinë për zbutjen e rreziqeve të mundshme në procesin e ardhshëm zgjedhor. Marrëveshja e re ndërmjet institucioneve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Prokurorisë së Përgjithshme dhe Strukturës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar u mirëprit nga komuniteti ndërkombëtar si një hap i rëndësishëm i radhës në sigurimin e qartësisë së qëllimit për secilin institucion. Ambasada Britanike mirëpret angazhimin e Shqipërisë për të siguruar që zgjedhjet e 11 majit të jenë transparente, të drejta dhe të sigurta.

Çfarë përfshijnë masat

Në prokuroritë e juridiksionit të përgjithshëm do të ngrihen seksione të posaçme të përkohshme për hetimin e veprave penale që prekin zgjedhjet e lira dhe sistemin demokratik të zgjedhjeve në kompetencën e tyre. Këto seksione do të ngrihen brenda 10 ditëve nga miratimi i këtij udhëzimi dhe do të funksionojnë deri në datën 31.5.2025. 

Po ashtu sipas marrëveshjes së lidhur mes Prokurorit të Përgjithshëm dhe Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Policia e Shtetit do të vendosë të dispozicion të seksioneve të posaçme të përkohshme oficerë të policisë gjyqësore, ekspertizë, pajisje logjistike si dhe grupe operacionale për mbështetjen e hetimeve.

SPAK ka njoftuar një sërë masash për zbatimin e Strategjisë së Hetimit dhe Parandalimit të Krimit Zgjedhor gjatë Zgjedhjeve për Kuvendin 2025. SPAK ka ngritur një task forcë, e cila do të përfshijë prokurorë, hetues të BKH-së, hetues financiarë, ekspertë dhe staf administrativ mbështetës. Sa i përket grupeve hetimor në terren, Prokuroria e Posaçme njoftoi se do të fokusohen në parandalimin dhe hetimin e veprave penale që lidhen me përdorimin e administratës publike, infrastrukturës shtetërore, dhe përfshirjen e grupeve kriminale në procesin zgjedhor./ZËRI

Poll

MOS HUMB