
TIRANË- Kryeministri Edi Rama prezantoi sot programin për infrastrukturën e 2030. Gjatë prezantimit të programit, kryeministri tha se kjo strategji do të zhvillojë turizmin malor. Rama shtoi se e gjithë kjo strategji do të zhvillohet për 9 vite. Më tej, ai u shpreh se gjithë projekti infrastrukturor do të bazohet në aspiratën e Shqipërisë për turizmin.
"Duket si absurde, për të gjitha rrugët që është bërë një propagandë e madhe kanë qenë tendera të pafinancuara. Nëse një aks kushton 30 milionë euro, edhe nga buxheti janë vendosur 1 milionë euro. Edhe të tjerat kismet, të fillojmë. Shifra totale e borxhit ndaj kompanive ka qenë 700 milionë, pa llogaritur borxhin e shpërndarjes së energjisë që ishte 1.5 miliardë, ku popullin e ka shpëtuar fati nga një humnerë. Nuk është bërë kurrë një rrugë me standarde që të duket një korridor europian. Është stimuluar pushtimi rrugës nga të dyja anët. Në rrugën që shkon poshtë drejt Fierit, do duhet t’i shmangemi disa herë aksit ekzistues, ndërkohë u pretendua që do ishte autostradë, ndërkohë që ajo nuk është autostradë. Tani me këto projekte ne do kemi dy autostrada të kategorisë A, që lidhin Shqipërinë me gjithë rrjetin e BE-së", tha Rama.
Ndërsa, më tej ai ka shtuar se investimet në zonat pranë vargmaleve, do ta kthejnë Shqipërinë në “Zvicrën dhe Austrinë e Ballkanit”.
“Shqipëria është shumë e vogël, ka dy dete dhe ka 9 lumenj. Shqipëria është shumë e vogël dhe ka male afër detit. Këtu është rruga e Lurës që është drejt përfundit. E gjithë kjo që deti po i sjell Shqipërisë është e rëndësishme. Por më pas kjo do të jetë themeli që do ndërtohet më vonë. Do jetë një Austri dhe Zvicër e Ballkanit, me investimet në hekurudhë dhe në akset rrugore”, tha Rama
Më tej, kryesocialisti Rama prezantoi dhe “Qendra e re e Monitorimit të Trafikut”. Sipas tij, gjobat do të vijnë në telefonin e secilit drejtues me foton e tij personale.
“Sistemi është i tillë dhe do sinjalizojë këtu për një rritje shpejtësie, do sinjalizohet këtu, nuk do ketë më policë në rrugë. Punonjësit e policisë do jenë të organizuar në një mënyrë tjetër. Sistemi i kontrollit në kohë reale të shpejtësisë do bëjë që gjobat të jenë të menjëhershme dhe ajo që po bëjmë ne është që gjoba të vijë në telefonin tënd në një kohë reale”, tha Rama./ZËRI