Politikë

Hapja e bazës ajrore të Kuçovës, Osmani: Ku është NATO ka paqe dhe stabilitet

E.K
Hapja e bazës ajrore të Kuçovës, Osmani: Ku
Vjosa Osmani dhe shefi i NATO

KOSOVË- Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka përshëndetur hapjen e bazës ushtarake të NATO-s në Kuçovë. Përmes një postimi në X, ajo shkruan se inaugurimi i bazës taktike të NATOS, shënon një hap të rëndësishëm në forcimin e pranisë së aleancës në Ballkanin Perëndimor.

“Hapja e bazës taktike ajrore të NATO-s në Kuçovë të Shqipërisë shënon një hap të rëndësishëm në forcimin e pranisë së aleancës në Ballkanin Perëndimor, duke kontribuar në rritjen e sigurisë në rajonin tonë dhe më gjerë. Ku është NATO, ka paqe dhe stabilitet!”, shkroi presidentja Osmani.

Inaugurimi i bazës së Kuçovës, do të bëhet sot paradite, ndërkohë që në ajër do të ketë dhe një spektakël avionesh.

Në ceremoninë që do të zhvillohet paraditen e sotme nga Ministria shqiptare e mbrojtjes do të marrin pjesë përfaqësues të lartë të Aleancës, Stacy Cummings, Menaxherja e Përgjithshme e Agjencisë për Mbështetjen dhe Prokurimin dhe Gjeneral Lejtnan Pablo Sánchez de Lara që është komandanti i Qendrës së Kombinuar të Operacionit Ajror të NATO-s në Bazën Ajrore të Spanjës.

Ndërkohë, do të jenë të pranishëm dhe do të marrin fjalën, veç Presidentit Bajram Begaj dhe kryeparlamentares Lindita Nikolla, kryeministri Edi Rama, ministri Niko Peleshi, dhe 2 ministrat e Mbrojtjes së Italisë e Turqisë.

Pas fjalimeve, është parashikuar dhe një spektakël ajror ku do të fluturojne dy F35, dy F16 dhe 2 Eurofighter për të demonstruar kapacitetet taktike dhe teknike të këtyre avionëve ushtarakë. Po ashtu në ajër pritet që të ngrihen dhe dronët Bayraktar, që u sollën pak ditë më parë nga Turqia. Pas montimit ata do të ngrihen sot për herë të parë në ajër. 

/ZËRI 

Poll

MOS HUMB