
ATHINË- Kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis është shprehur se Greqia do të mbështesë përpjektet e Shqipërisë për t’u anëtarësuar me Bashkimin Evropian, por me kusht që të respektojë të drejtat e pakicës etnike greke. Teksa foli për nënshkrimin e një kontrate për një rrugë të re që lidh qytetin e Janinës me Kakavijën, Mitsotakis tha për “Reuters” se Greqia ka mbajtur gjithmonë marrëdhënie të mira me Shqipërinë.
“Ka një rrugë të vazhdueshme kushtëzimi drejt Bashkimit Evropian, ku ne jemi në thelb rregullatorë të shpejtësisë me të cilën Shqipëria do të ecë drejt Evropës”, tha Mitsotakis.
Marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Greqisë u acaruan pas arrestimit të Fredi Belerit vitin e kaluar, i cili u akuza për blerje votash. Pas arrestimit të tij, Mitsotakis u shpreh se do të bllokojë procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në BE dhe bëri thirrje për lirimin e tij, zyrtarë të tjerë grekë gjithashtu protestuan. Beleri u lirua nga qelia në shtator të këtij viti, 6 javë para se t’i përfundonte dënimi i tij me burg. Teksa ishtë në burg, Beleri u bë pjesë e Parlamentit Evropian si kandidat për partinë e Mitsotakis “Demokracia e Re”. Ai mori leje nga burgu për të udhëtuar drejt Brukselit, ku dhe u betua si eurodeputet.
Mitsotakis është shprehur se mbështetja e Greqisë për Shqipërinë në BE varet se sa shpejt do të përmbushi detyrimet në lidhje me pronën dhe të drejtat e tjera të pakicës etnike greke. Shqipërisë, së bashku me Bosnjën, Kosovën, Malin e Zi, Maqedoninë e Veriut dhe Serbinë, iu premtua anëtarësimi në BE vite më parë dhe kanë qenë në bisedime me BE-në se si të përshpejtojnë reformat e nevojshme, të cilat përfundimisht do t'i ndihmojnë ata të bashkohen me bllokun 27-vendesh. Por procesi ka ngecur, kryesisht për shkak të përparimit të ngadaltë në reforma dhe gjithashtu një ulje të oreksit midis vendeve anëtare ekzistuese të BE-së për zgjerim të mëtejshëm. /ZËRI