
HIMARË- Vangjel Tavo ka mbajtur një fjalë të shkurtër para mediave si i sapozgjedhur në postin e kryebashkiakut të Himarës. Në një prononcim të shkurtër për median, Tavo falenderoi të gjithë himariorët që votuan duke i garantuar se nga sot do të nisë punën për zgjidhjen e problemeve të himariotëve pa dallim bindjesh politike. Edhe njëherë bëri thirrje që kundërshtari i tij këto zgjedhje, Petro Gjikuria, të pranojë ofertën e tij për t'u bërë nënkryetar i Bashkisë, në të kundërt paralajmëroi se ka opozitarë të tjerë që i janë afruar për postin.
PRONONCIMI I PARË SI KRYEBASHKIAK:
Vangjel Tavo: Sot fitoi Himara, fituan himarjotët, dua të falenderoj banorët e njësisë Himarë për durimin që patën të na dëgjonin gjatë fushatës dhe për besimin që patën duke na votuar dhe besuar një mandat. Që sot fillojmë punën për të gjithë ato që i kemi premtuar banorëve. Që sot të bashkuar të gjithë, problemet nuk kanë ngjyrë, të gjithë për Himarën e bashkuar dhe pa probleme. Të gjithë të bashkuar! Që të jem i sinqertë e prisja një fitore të tillë, e kam deklaruar se diferenca do të jetë mbi 1000. Pikë së pari do të vazhdojmë punën që po bën bashkia për turizmin. Krahas turizmit dhe me problemet e tjera. Padyshim që oferta për Gjikurinë ka qenë e sinqetë dhe vazhdon të jetë e tillë. Zoti Gjikuria nëse nuk do të largohet për në Amerikë është i mirëpritur të jetë nënkryetari i Bashkisë. Bashkia ka nevojë për të gjithë, problemet dhe Himara nuk kanë ngjyrë. Nëse Gjikuria largohet në Amerikë, ka shumë kërkesa nga opozita. Festë nuk ka, mos prisni, do të vazhdojmë punën. PS ka shumë elementë që mund ta fitonin Himarën, unë jam socialist që në vitet e mia të fëmijërisë, ne na besuan jo vetëm socialistët dhe presin nga ne.
Zoti Klosi jeni dakord me ofertat e Tavos?
Klosi: Sot është dita e Vangjelit dhe t'ja lëmë gjithë kamerat atij.
Ka pasur xhelozi mes socialistëve në Himarë për ofertën që i keni bërë Gjikurisë?
Vangjel Tavo: Ky mendim i imi ekziston tek gjithë kolegët socialistë në Bashkinë e Himarës. Biles, nënkryetarët aktualë më kanë thënë jemi gati të largohemi nëse ndodh kjo, sepse e kemi të nevojshme. Faleminderit edhe kryeministrit dhe zotit Klosi për besimin dhe mbështetjen që më kanë dhënë gjatë gjithë kësaj kohe./ZËRI