
TIRANË- Nënkryetarja e Kuvendit, Ermonela Felaj ka ngritur një akuzë të fortë ndaj deputetit të Partisë Demokratike, Flamur Noka. Në një intervistë që deputetja e Partisë Socialiste ka dhënë në "A2CNN", deputetja Felaj ka akuzuar Nokën se në një nga seancat plenare, ish-ministri i Brendshëm Flamur Noka ka kërcënuar me jetë një prej punonjësve të Gardës dhe fëmijët e tij. Por nuk e ka bërë me dije identitetin e punonjësit të Gardës, i cili pretendohet se është kërcënuar nga deputeti demokrat dhe as nëse ai ka bërë një kallëzim penal për rastin.
“Siguroj që Garda është gjithmonë në sallë për rendin dhe sigurinë. Ligji i Gardës e detyron që të bëjë këtë detyrë. Të sigurojë mjediset e Kuvendit të Shqipërisë dhe institucioneve të tjera kur ato cënohen nga veprime të dhunshme. Këtë ka bërë Garda duke u përmbajtur natyrisht në kryerjen e detyrës, pasi nuk është e thjeshtë të jesh proporcional ndaj veprimeve që bëjnë disa deputetë të opozitës. Nuk e di a e keni ndjekur sesi flamur Noka kërcënon me jetë një nga anëtarët e Gardës. Kërcënon atë me jetë dhe fëmijët e tij. Punonjës janë goditur dhe janë kërcënuar me jetë në sallën e Kuvendit. Kjo nuk është me Partinë Socialiste, por është me punonjësit. Këto lloj sjelljesh ligji penal i penalizon,"- tha në fjalën e saj Felaj.
Po ashtu, ZËRI ka kërkuar edhe një koment nga Flamur Noka, i cili ka mohuar pretendimet e koleges së tij socialiste. Sipas tij, e gjitha është një shpifje, duke iu kthyer po ashtu me akuzë. Noka përmendi pretendimin se bashkëshorti i Felajt, është marrë peng nga 'bandat kriminale'. Por sërish nuk foli me emra.
"Sekserja e krimit organizuar para se të shpifë për kundërshtarët pikë së pari t'ju tregojë shqiptarëve pse iu mor burri peng e si iu negociua krimi i tij. Sa para u paguan nga krimi për punën e kryer përgjysëm nga Felaj e sa para iu dha kriminelëve për lirimin e burrit OPGJ të marrë peng. Kjo i shqetëson shqiptarët sepse familja Felaj e zhytur në batakun e krimit sot drejton Prokurorinë dhe Parlamentin. Dhe gjë më të rëndë se në drejtim të drejtësisë dhe Parlamentit të jenë përfaqësuesit e krimit nuk ka. Flamur Noka dhe opozita po lufton që drejtësia dhe parlamenti të jenë jashtë kllapave të krimit,"-tha Noka në përgjigje për ZËRI.
/Zëri.ai