
TIRANË- Analisti Lorenc Vangjeli ka bërë një paralajmërim të fortë sa i takon përballjes së Sali Berishës ne drejtësinë, teksa tha se ka zgjedhur një strategji të gabuar, për të mbajtur mitingje teksa mbahet nën masën e arrestit. Vangjeli tha se Berisha po kërkon që ta shndërrojë veten në një viktimë politike, por strategjia është e gabuar, dhe mund të sjellë pasoja të tjera, në rast se ai nuk respekton masën e dhënë nga Gjykata e Posaçme.
"Doktori ka hyrë në kursin e përplasjeve me drejtësinë. Besoj se është strategji e gabuar, tentativë e tij për t’u shndërruar në viktimë dhe martir të një lufte politike. Masa e re e arrestit për doktorin nuk ka të bëjë me çështjen por me mënyrën sesi u soll vetë gjatë këtij procesi. Nëse do të mbante masën e parë, nuk do kishim mbërritur këtu. Në këtë moment doktori shikon se e vetmja rrugëzgjidhje për të është që të avancojë në këtë kurs përplasje. Do dëgjojmë lajme të tjera, ndoshta ngjarje shpërthyese”- u shpreh Vangjeli në emisionin Kontrast në Report Tv.
Vetë Berisha prej tre ditësh organizon mitingje dhe mban fjalime nga dritarja e banesës së tij, edhe pse Gjykata e Posaçme ka vendosur që ai të mos komunikojë me askënd, përveç personave që jetojnë me të në një shtëpi. Avokatët e tij apeluan vendimin, por vetë Berisha nuk ka ndërmend që të presë Gjykatën e Apelit që të shprehet, duke thyer masën që i është vendosur, me shfaqje nga ballkoni i tij./Zëri