TIRANË- Një tjetër përballje virtuale ka ndodhur mes kryeministrit Edi Rama dhe kryetarit të koalicionit “Nisma Shqipëria Bëhet”, Adriatik Lapaj. Gjatë një takimi në Gjirokastër, Rama i përmendi edhe njëherë partitë e reja që kërkojnë mandate në Kuvendin e Shqipërisë. Madje, i cilësoi si "fara të keqe" të partisë Lëvizja Socialiste për Integrim.
“I keni dëgjuar ata, gjoja partitë e reja çfarë thonë. Po na ra ne rasti, do shkojmë në zgjedhje të parakohshme. Ju kujton ndonjë gjë? Ata që merren me bujqësi e dinë shumë mirë se çfarë është fara e keqe. Është ajo farë e keqe që polli të ndjerën LSI dhe ju e dini se çfarë kemi hequr me atë farë të keqe. Sot ajo farë e keqe nuk duhet lënë të mbijë e të marrë tokat e politikës shqiptare. Sepse nuk ka asnjë ofertë të re, por të njëjtën gjuhë të kënetës. Po sharjet e kënetës, po akuzat e kënetës. Ndryshe nga këneta, ka vetëm një gjë, këneta ka një buf të lodhur të mbaruar që i fiken llampat në çdo 5 fjali, kurse ata kanë ca djem të rinj në moshë, se në tru janë të gjithë bufa të vegjël,”- u shpreh Rama duke dhënë mesazhin se ka dëshirë që votat të jenë të fokusuara në dy pole të mëdha.
Lapaj nga mjeti i tij, i ka kthyer një përgjigje kreut të qeverisë, duke i përsëritur edhe njëherë premtimin që ai ka bërë gjatë gjithë fushatës.
“Përveçse i pangopur, është edhe mosmirënjohës. Pasi u bë kryeministër, duke bashkuar votat me LSI-në, e pasi i shpërbleu me 20% të vendeve të punës në administratë, duke e trajtuar administratën si ta kishte plaçkë të vetën, e pasi i bëri ministra, kryetar Kuvendi e deri President të vendit, tashmë bën sikur ka zbritur nga një planet tjetër dhe nuk ka qenë ky autor i atyre gjërave. Zoti Rama, nëse do jetë në dorën tonë, nëpërmjet votave të qytetarëve, krijimi i kësaj qeverie që vjen, ti nuk do jesh kryeministri i këtij vendi! Ne do ta çlirojmë Shqipërinë nga ky model politik!,”- përfundon Lapaj./ZËRI