
TIRANË- Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha i ka dërguar një mesazh për të gjitha strukturat, që nga drejtuesit politikë, tek kandidatët për deputetë dhe të gjithë demokratët që janë përfshirë në fushatë zgjedhore. Në mesazhin më të fundit që ka dërguar, Berisha u thekson demokratëve rëndësinë e ditëve të fundit të fushatës, duke u kërkuar intensifikimin e punës në terren. Numri një i opozitës kërkon deri në 16 orë në ditë punë nga të gjithë për të arrituar fitoren e Partisë Demokratike. Vetëm kështu sipas tij, mund t'ja dalin me sukses më "11 maj".
"Këto janë ditët vendimtare! Çdo orë kushton sa një ditë! Intensifikimi i fushatës, puna së paku 16 orë e udhëheqësve politikë të Qarqeve, drejtuesve dhe kryesive të degëve, kandidatëve të listave të mbyllura dhe të hapura, shtabeve elektorale, strukturave të Partisë është vendimtare për fitoren tonë! Ndaj dhe mobilizoni të gjithë forcat dhe energjitë për përmbushjen e këtij misioni! “Shqipëria Mashështore”! Fitore! Përshëndetje, Sali Berisha,"- thuhet në mesazhin e kreut të PD.
Ndërkohë na ndajnë vetëm 8 ditë nga zgjedhjet parlamentare që do të mbahen më 11 maj, ku do të zgjidhet kryeministri që do të qeverisë për 4 vitet e ardhshme. Dy partitë kryesore, ajo Socialiste dhe Demokratike kanë përveshur mëngët dhe po organizojnë takime elektorale në çdo qytet të vendit./ZËRI